Manchester City nuk e ka fituar kurrë trofeun e Champions League, por ky shihet si viti i duhur për t’ia dalë. Pengesa për një biletë në gjysmëfinale është Dortmundi. Trajneri spanjoll i “Cityzens”, Pep Guardiola ka analizuar shortin, teksa ndalet edhe te Erling Haaland.
“Nuk e kam ndjekur shumë Dortmundin këtë sezon, por do kem mundësi t’i studioj mirë tani që vijnë ndeshjet e kombëtareve. Ata janë realisht një skuadër e mirë. Kundërshtar i vështirë, por nuk ka rivalë të thjeshtë në këtë fazë.
Synojmë të zhvillojmë lojëra të mira në të dy ndeshjet. Kualifikohemi nëse luajmë mirë, e njëjta gjë edhe për Dortmund, nuk ka sekrete. Haaland? Momentalisht, duke marrë parasysh edhe moshën e tij, Haaland është një nga sulmuesit më të mirë në botë.
A do doja ta kisha në skuadrën time? Ju e dini shumë mirë që nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetje. Ai është një futbollist i Dortmundit, kështu që nuk kam një koment, pasi nuk më pëlqen as kur të tjerët flasin për djemtë e mi“, theksoi Guardiola. /abcnews.al