Referendumi për emrin, SHBA- BE mesazh maqedonasve

schedule19:45 - 13 Shtator, 2018

schedule 19:45 - 13 Shtator, 2018

E ardhmja europiane dhe euro-atlantike e Maqedonisë varet nga referendumi i 30 shtatorit. Ka qenë ky mesazhi që kanë përcjellë të enjten në Shkup, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federika Mogerini dhe ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Ues Miçëll.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë rikonfirmuar mbështetjen për Maqedoninë dhe rrugën e saj të anëtarësimit në NATO. Pikërisht për të riafirumuar politikën e dyerve të hapura, Shkupi është vizituar të enjten nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Ues Miçëll. Pas takimeve të zhvilluara me zyrtarët vendas, Mogherini u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar duke u bazuar jo tek thirrjet e politikanëve, por tek ambicjet dhe dëshirat e tyre për të ardhmen e vendit. “Më 30 shtator, kur të shkoni të votoni në referendum, ju do të mbani në duar çelësat e të ardhmes së vendit. Ajo është në duart tuaja dhe vetëm në duart tuaja dhe askush tjetër nuk mund ta bëj atë për ju. Mos e humbisni këtë mundësi”, ka deklaruar Mogherini. Duke komentuar thirrjet e partisë opozitare VMRO-DPMNE, shefja e diplomacisë europiane ka nënvizuar se, politikanët duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që mund të ndodhë në vend nëse ky shans që kanë u shpëton nga duart. Në të njëjtat linja, Miçëll ka përcjellë mesazhin se votimi pro marrëveshjes me Greqinë në referendumin e 30 shtatorit është çelësi për zhbllokimin e rrugës së integrimit. “Faktori ndërkombëtar pret një referendum të suksesshëm për paktin me Greqinë dhe natyrisht zbatimin e tij”, ka deklaruar Miçëll gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Nikolla Dimitrov. Duke komentuar mesazhet, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se vizitat e zyrtarëve të huaj tregojnë rrugën në të cilën ndodhet Maqedonia. “Tani të gjithë qytetarët duhet të tregojnë unitet dhe vendosmëri në referendumin e 30 shtatorit. Të vendosim për marrëveshjen dhe për të ardhmen tonë”, ka thënë Zaev. Ndërsa lideri i opozitës, Mickoski, pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së u ka bërë thirrje qytetarëve që më 30 shtator të vendosin me krenari dhe dinjitet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!