Merkel: Nuk ka asnjë justifikim për krimet naziste

schedule10:34 - 13 Shtator, 2018

schedule 10:34 - 13 Shtator, 2018

Kancelarja Merkel ka deklaruar se asgjë nuk e justifikon dhunën dhe parullat naziste të përdorura së fundmi në protestat kundër emigrantëve. Por pas fjalimit të saj, në sallën e Bundestagut kanë hyrë deputetët e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, të cilët janë përfshirë në përplasje verbale.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një fjalim të mbajtur të mërkurën në Bundestag ka dënuar sulmet ksenofobe dhe përdorimin e termave naziste. Reagimi i kancelares ka ardhur pas protestave të dhunshme të dy javëve më parë që nxorrën në dukje përçarjet e thella në vend. Manifestimet e militantëve të së djathtës ekstreme në qytetin Çemnic nisën pas vrasjes me thikë të një shtetasi gjerman, krim për të cilin u fajësuan dy emigrantë. Protestuesit reaguan ashpër ndaj politikave të Merkel, që në vitin 2015 vendosi pranimin e mbi 1 milion refugjatëve. “Asgjë nuk justifikon përdorimin e dhunës, parullave naziste dhe armiqësinë e treguar ndaj njerëzve që duken ndryshe, apo ndaj policisë”, ka thënë Merkel.

Kancelarja ka theksuar se nuk do të lejojë izolimin e asnjë komuniteti dhe ka shtuar se hebrenjtë, myslimanët, të krishterët dhe ateistët i përkasin të gjithë shoqërisë gjermane. “Dinjiteti njerëzor është prioriteti numër 1”, ka shtuar Merkel. Por pak momente pas fjalimit të gruas së hekur të Europës, deputetët e partisë Alternativa për Gjermaninë kanë bastisur Dhomën e Ulët të Parlamentit. Ata kishin mbetur të irrituar pasi deputetët social-demokratë i kishin quajtur radikalë të pashpirt të ekstremit të djathtë./abcnews.al