Gjermania pezullon vaksinimin me AstraZeneca

schedule07:52 - 16 Mars, 2021

schedule 07:52 - 16 Mars, 2021

Ministria e Shëndetësisë po ndjek rekomandimin e Institutit Paul Ehrlich se janë të nevojshme ekzaminime të mëtejshme, pasi njoftimeve për trombozë të lidhura me vaksinimin.

Edhe Gjermania ju bashkua vendeve që vendosën të pezullojnë vaksinimin me vaksinat e firmës AstraZeneca. Një zëdhënës i Ministrisë Federale të Shëndetësisë tha në Berlin se ky hap u parapri nga një rekomandim i Institutit Paul Ehrlich (PEI) në pritje që Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) të vendosë lidhur me përdorimin e mëtejshëm të vaksinës.

Pas disa rasteve të rënda tromboze pas vaksinimit me vaksinën e firmës AstraZeneca Kopenhaga e pezulloi përdorimin e saj. Ky hap u pasua nga Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Irlanda dhe të dielën në mbrëmje edhe nga Holanda.

Austria, Estonia, Letonia, Lituania dhe Luksemburgu, të cilat pezulluan përdorimin e një serie të vaksinës. Kurse Italia dhe Rumania pezulluan përdorimin e një serie tjetër.

Firma britaniko-suedeze AstraZeneca e mbrojti vaksinën e saj dhe theksoi se analiza e më shumë se dhjetë milion rasteve nuk kishte treguar “asnjë dëshmi për rrezik në rritje të embolisë pulmonare ose të trombozës”. Bashkëzhvilluesi i vaksinës, Andrew Pollard, drejtues i Grupit të Vaksinave të Oksfordit, tha të hënën se në Britaninë e Madhe, ku kjo vaksinë është përdorur deri tani më shumë në Evropë, ajo nuk ka shkaktuar numër të shtuar problemesh me mpiksjen e gjakut .Qeveria federale gjermane fillimisht nuk donte t’i pezullonte vaksinimet me vaksinat e firmës AstraZeneca edhe pse Danimarka e ndërmori këtë hap që të enjten. /DW