Prokuroria e Posaçme anti-Korrupsion ka shpallur moskompetencë për dosjen ndaj ish-kreut të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi. ABC mëson se çështja e Shkëmbit është dërguar për hetim në Prokurorinë e Tiranës, për akuzat e nxjerrjes së sekretit hetimor, ndërsa akuza për përfshirje në korrupsion ka rënë.
Pak ditë më parë, autoritetet gjermane i kthyen përgjigje letër-porosisë së SPAK në lidhje me hetimet që po kryhen për drejtuesin e lartë të Policisë, Artan Shkëmbi, i hetuar për nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion.
Shkëmbi u pezullua nga detyra, pas një informacioni të mbërritur nga drejtësia gjermane, e cila kishte kërkuar hetim dhe bashkëpunim për dy trafikantë shqiptarë, Aleksandër Prronin e Klaudio Vukajn. Sipas informacionit nga gjermanët, trafikantët janë lajmëruar nga Shkëmbi se ishin vënë në hetim për verifikimin e pasurisë.
Gjithashtu në vendimin për mos rikthimin e tij në detyrë, kolegji penal i Gjykatës së Lartë arsyeton se ka dyshime të bazuara në prova, se i hetuari Artan Shkëmbi, mund të ketë përcjellë të dhëna që janë të mbuluara nga sekreti hetimor tek personat që po hetohen në Gjermani, përmes një personi të tretë akoma të paidentifikuar./mv.abcnews.al