Fitore me “poker” e Llapit në IPKO Superligën e Kosovës, ndërsa Feronikeli ia del të thyejë 2-0 Prishtinën në Drenas. Skuadra nga Podujeva triumfoi 1-4 në fushën e Besës së Pejës, ekip që renditet në vend të fundit.
Sadriu dhe Hoti kaluan miqtë në avantazh të dyfishtë në 20 minutat e para, teksa Besa shkurtoi rezultatin me anë të Tahirit. Kaq për pjesën e parë, ndërsa Llapi realizoi edhe dy gola të tjerë në fraksionin e dytë me anë të Veliut dhe Ramadanit.
Feronikeli iu fal dy golave të Marko Simonovskit për të mposhtur Prishtinën. Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut realizoi nga një gol për pjesë, teksa Feronikeli luajti minutat e fundit me një lojtar më pak për shkak të daljes me të kuq të Malajt.
Kampionët e Dritës vazhdojnë të kryesojnë kampionatin dardan me 53 pikë. Dy pikë më pak dhe vendi i dytë për Ballkanin e Shkëmbit, ndërsa Prishtina mban vendin e tretë me 50 pikë (ka luajtur një ndeshje më shumë). Gara për titullin vazhdon të jetë e fortë dhe emocionuese. /abcnews.al
IPKO Superliga e Kosovës, java e 25-të
Besa-Llapi 1-4
(Tahiri / Sadriu, Hoti, Veliu (pen), Ramadani)
Feronikeli-Prishtina 2-0
(Simonovski 2x)