Google ka hequr nga YouTube videot e Alexei Navalny, një kritik i presidentit Vladimir Putin.
Videot tregonin Navalnyn që ju bëntë thirrje rusëve të merrnin pjesë në protestat e 9 shtatorit kundër rritjes së moshës së pensionit. Një nga ndihmësit e Navalny tha se heqja e videove përbënte “censurë politike”.
Google tha se kërkoi që të gjithë reklamuesit të vepronin në përputhje me ligjet vendore.
Zyrtarët rusë i kërkuan gjigantit të teknologjisë gjithashtu që të hiqte videot e muajit të kaluar, duke argumentuar se ato ishin të paligjshme në kontekstin e rregullave mbi zgjedhjet ruse. Ligjet ndalojnë fushatën politike brenda 24 orëve pas publikimit të një sondazhi zyrtar.
“Ne i konsiderojmë të gjitha ankesat e justifikuara nga organet shtetërore”, tha Google në një deklaratë. “Ne gjithashtu kërkojmë që reklamuesit të veprojnë në përputhje me ligjin vendor dhe me politikat tona të reklamimit”.
Më 9 shtator u zhvilluan protesta kundër planeve për të rritur moshën e daljes në pension në Rusi nga 60 në 65 për burrat dhe nga 55 në 60 për gratë. Jetëgjatësia mesatare për meshkujt rusë është 66.
Në të njëjtën ditë, zgjedhjet për guvernatorët rajonalë në vend u kontestuan, shkruan BBC.
Më shumë se 800 protestues u arrestuan dhe disa u rrahën me shkopinj, sipas grupit të monitorimit të të drejtave OVD-info.
Grupi tha se kishte arrestime në 19 qytete ruse, ku shumica ndodhën në Shën Petersburg.
Navalny kishte planifikuar të drejtojë protestën e Moskës, por muajin e kaluar ai u dënua me 30 ditë burg për shkelje të ligjeve që rregullojnë protestat.
Ai ka mohuar me forcë të gjitha akuzat kundër tij dhe ka thënë se burgu është një përpjekje për të prishur fushatën e tij politike./tvklan.al