Paolo Maldini ka qenë një futbollist klasi, teksa të shumtë janë ata që e cilësojnë si mbrojtësin më të mirë të historisë së futbollit. Legjenda italiane po tregon vlera edhe si drejtues. Drejtori teknik i Milanit ka dhënë një rrëfim rreth së tashmes dhe së ardhmes së “Djallit”.
“Unë kurrë nuk e kam konsideruar rikthimin tim te Milani si një detyrim ndaj karrierës time. Natyrisht që ky klub është dhe do të jetë gjithmonë pasioni im, ashtu si vetë futbolli. Leonardo? Unë dhe ai kishim vizione të ndryshme në lidhje me ndërtimin e skuadrës. Klubi ka bërë investime të rëndësishme, megjithëse me shpenzime jo të tepruara.
Pas largimit të Leonardos, për shkak të domosdoshmërisë ekonomike duke pasur parasysh humbje vjetore prej 100 milion eurosh, u vendosën masa shtrënguese në merkato. Vendosëm të vinim bast mbi lojtarët e rinj për t’u kthyer konkurrues. Sigurisht që duke respektuar historinë tonë, pasi asnjë projekt nuk mund të mos ketë një ide për të fituar menjëherë.
Sfida ishte të ktheheshim konkurrues në aspektin sportiv dhe solidë financiarisht. Mund të them që sot e kemi gjetur këtë lloj ekuilibri. Shumë klube po na marrin shembull. Të shohim nëse do të fitojmë në të ardhmen. Aspekti ekonomik nuk na lejon të blejmë lojtarë të mëdhenj. Kur të kthehemi në Champions dhe të luajmë atje 4-5 sezone radhazi, atëherë mund të sakrifikojmë.
Milani është mbi çdo lojtar. Të gjithë kalojnë, ndërsa klubi mbetet. Më pas ka edhe lojtarë si Ibra, të cilën lënë shenjen e tyre të veçantë. Ai është një motivues i madh, një burim i madh për ata që arrijnë të shfrytëzojnë sa më mirë cilësitë e tij“, përfundon Maldini. /abcnews.al