Tsipras: Çështja Çame nuk ekziston

schedule21:37 - 9 Shtator, 2018

schedule 21:37 - 9 Shtator, 2018

Në bisedimet dypalëshe mes Athinës dhe Tiranës, që pritet të finalizohen me një marrëveshje, sipas kryeministrit grek nuk janë në diskutim Çështja Çame apo ndryshimi i kufijve. Duke folur për këtë temë, Tsipras tha se Greqia mbështet hapjen e negociatave Shqipëri-BE, por ai përmendi edhe disa kushte.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, i ka përjashtuar Çështjen Çame dhe ndryshimin e kufijve si tema diskutimi në bisedimet dypalëshe me Shqipërinë.

Duke folur gjatë një konference për shtyp nga edicioni i 83-të i Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, kreu i qeverisë së Athinës u pyet edhe për bisedimet dypalëshe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Athinës dhe Tiranës.

“Marrëveshja përfshin rregullimin dhe ruajtjen e piramidave që përcaktojnë kufijtë tanë”, tha Tsipras.

“Ata kufij nuk ndryshojnë. Gjithashtu Çështje Çame nuk ka”, u shpreh Aleksis Tsipras.

Nga ana tjetër Tsipras u shpreh se Greqia mbështet hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit fqinj.

Por për këtë duhen bërë disa ndryshime si kufijtë detarë, duhet parë çështja e varrezave të grekëve në Shqipëri, librat e historisë dhe çështja e minoritetit grek.

Tsipras foli edhe për marrëveshjen e Prespës për emrin e Maqedonisë. Sipas tij, në varësi të përparimit që do bëjë Shkupi, parlamenti grek pritet të votojë marrëveshjen brenda Shkurtit 2019.

Ndërsa lidhur me çështjen e Kosovës, Tsipras tha se Greqia po ndjek nga afër këto zhvillime dhe nëse ka një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës që do të jepte vizionin e një zgjidhjeje, Athina zyrtyare  do ta përgëzonte atë./abcnews.al