Juventus nuk ia doli dot të kualifikohej në raundin tjetër të Champions League, edhe pse fitoi me rezultatin 3-2 kundër Portos. Bardhezinjtë e shikojnë sërish veten jashtë kompeticionit europian dhe të menjëhershëm ishin zërat për largimin e Cristiano Ronaldos.
Në fakt ka disa javë që përflitet se portugezi mund të largohet në fund të sezonit nga kampionët e Italisë, por tashmë këto zëra janë shtuar edhe më shumë pas eliminimit nga Champions. Megjithatë, është drejtori sportiv i Juves, Fabio Paratici, i cili ka qetësuar të gjithë tifozët bardhezinj.
“Ka ende një dhe një vit në përfundimin e kontratës së Cristianos. Rinovimi i tij nuk është një çështje urgjente, kështu që nuk kemi pse të flasim për të në këto momente”, deklaroi italiani pas ndeshjes. Kujtojmë që CR7 është në kontratë me “Zonjën e Vjetër” deri në vitin 2022, por nuk dihet nëse do ta respektojë deri në fund atë. /abcnews.al