Komisioni “Marku-Ruli” e mos përfshirja e të rinjve në lista, jep dorëheqjen nënkryetari i FRPD-së

schedule13:34 - 9 Mars, 2021

schedule 13:34 - 9 Mars, 2021

Lisandër Hoxha ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i Anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD si dhe posti i zv/kryetarit të FRPD-së. Në letrën drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha, duke i komunikuar vendimin e dorëheqjes, Hoxha liston arsyet se pse në këtë fushatë do të angazhohet vetëm si një anëtar i thjeshtë “me rininë në krah”.

Lisandër Hoxha shprehet i zhgënjyer nga ai që quan komisioni “Marku-Ruli”, i cili sipas tij, është një nismë që pati një rezultat ndryshe nga sa ishte pritur.

“Në procesin e punës së tyre, figura të spikatura të PD nga Tropoja dhe Saranda u përballën me një fenomen zhvlerësues aspak të nevojshëm, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve…Paqartësia e kësaj nisme dhe produkti i saj duhej të ishte objekt analize dhe diskutimesh në organet më të larta të PDSH, si Kryesia dhe Këshilli Kombëtar,” shkruan Hoxha.

Arsye të dytë për tërheqjen e tij, Lisandër Hoxha liston mos përfshirjen e të rinjve të PD-së në listat e kësaj partie për deputetë.

“Sa i takon ndryshimeve statutore të prillit 2018, ku të rinjve ju dha dinjiteti përmes Nenit 70, pik 3, ku një parti politike për herë të parë vlerësonte angazhimin rinor në politikë, duke i garantuar një rol përmes statutit me përfaqësim 5 për qind në listat e kandidatëve për deputetë dhe 10% në listat e këshillave vendorë nëpërmjet konsultimit me FRPD. Këto konsultime nuk ndodhën kurrë…”

Hoxha shprehet se kishte menduar se të rinjtë më të spikatur të FRPD, përjashtuar veten e tij, do të kishin mundësi të kalonin në skenën politike, dhe për shkak se konsultimet me forumin rinor nuk ndodhën kurrë, e ka të pamundur të jetë drejtues politik me funksione në PD

Ish-zv/kryetari i FRPD shpreson që dorëheqja e tij të shërbejë si një  formë revolte ndaj “ndaj padrejtësive që u bëhen të rinjve dhe në veçanti atyre të FRPD, që meritojnë vlerësim e mirënjohje.” sb/abcnews.al/