Shqipëri-Izrael, atmosferë festive në Elbasan

schedule16:07 - 7 Shtator, 2018

schedule 16:07 - 7 Shtator, 2018

Atmosferë festive në Elbasan në ditën e sfidës ndaj Izraelit. Edhe pse qytetarët janë të qetë, rrugët dhe sheshet janë mbushur me suvenirë të kombëtares, ndërsa ka interesim për bileta.

Pamja është ajo e një qyteti që pret një ndeshje të rëndësishme.

Edhe pse qytetarët këtu janë të qetë dhe i marrin gjërat shtruar, sërish në Elbasan e kupton më së miri se këtu do të luajë kombëtarja e futbollit.

Sa më shumë afrohesh drejt stadiumit “Elbasan Arena”, aq më shumë të tërheq vëmendjen prania e suvenireve të shumtë, flamuj, shalle, fanela të moshave të ndryshme dhe pamjeve gjithashtu të shumëllojshme.

Jo vetëm që tifozët presin një lojë të mirë dhe një fitore nga ekipi përfaqësues ndaj Izraelit, në sfidën e parë të Ligës së Kombeve.

Edhe ata që merren me tregti apo biznes, duan që ky duel t’u sjellë sa më shumë të ardhura, dhe shpresa është që numri i tifozëve në tribuna të jetë i madh.

Informacionet nga Elbasani thonë se interesimi është vërtet i lartë, pavarësisht nga humbjet radhazi në miqësore të skuadrës së trajnerit Panuçi.

Janë shitur shumë bileta, ndërsa në stadium do të ketë shqiptarë nga të katër anët e vendit.

Policia ka deklaruar se ka marrë të gjitha masat, duke angazhuar qindra forca, ndërsa janë përcaktuar rrugët dhe sheshet në të cilët do të ndalohet kalimi i mjeteve, për të mos pasur probleme kur tifozët të vijnë për të parë takimin.

Besohet se edhe siguria është në nivele maksimale, aq më shumë që në “Elbasan Arena” luan Izraeli, një nga ekipet përfaqësuese më të rrezikuar në botë nga sulme të dhunshme./abcnews.al