Korabi luan sot në Lezhë një ndeshje, që mund ta quajmë edhe derbi i veriut. Dibranët sfidojnë Besëlidhjen, teksa para kësaj sfide janë përballur me një surprizë aspak të këndshme, sipas tyre.
Laver Alla, gjyqtar i mirënjohur në vendin tonë dhe pjesë e vazhdueshme e ekipit të arbitrave edhe në Superiore, do gjykojë këtë ndeshje. Korabi, me të marrë vesh këtë lajm ka dalë e një qëndrim të ashpër, të cilin e ka publikuar në Facebook.
Klubi dibran e etiketon Allën si “famëkeq”. Ata kujtojnë një ndeshje të gjykuar para tre viteve ndaj Besës, pas së cilës kishin pakënaqësi dhe e quan të paracaktuar fatin e ndeshjes së sotme.
POSTIMI – Jemi njoftuar që sot takimi do të gjykohet nga “famëkeqi” Laver Alla! Një arbitër i cili masakroi skuadrën e “Korabit” në datë 03.03.2018 duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e takimit KF Besa 2-1 KF Korabi ku u akorduan 7 kartona të verdhë, 2 kartona të kuq, 1 gol offside në favor të Beses dhe 11-metërsh i cili mbylli takimin.
Ky arbitër zbriti “Korabin” nga 5 vendet e para dhe hodhi poshtë investimin e një sezoni. Nuk mund të heshtim përpara takimit, fati i të cilit me shumë mundësi është i paracaktuar! Kërkojmë publikisht të mos na mohohet e drejta dhe gjyqtarët të mos bëhen më faktorë! Të fitojë më i miri… /abcnews.al