Pensionet private, vlera e aseteve arriti 29 milionë euro në fund të 2020

schedule07:32 - 5 Mars, 2021

schedule 07:32 - 5 Mars, 2021

Asetet neto të fondeve të pensioneve private në vend arritën rreth 29 milionë euro në fund të vitit 2020 me një rritje prej 23.8 për qind në raport me fundin e vitit 2019.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se rritje pati edhe në numrin e anëtarëve që janë pjesë e këtyre fondeve që në vitin e shkuar ishin mbi 31 mijë me një rritje prej 9.72 për qind në raport me fundin e vitit 2020.

Pavarësisht shifrave inkurajuese në rritjen e tregut ai vazhdon të mbetet një treg modës të raport me tregjet e tjera të mbikëqyrura nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Të dhënat e publikuara tregojnë se portofoli total i investimit deri në fund të vitit të shkuar ishte rreth 28 milionë euro ku pjesa më e madhe e tyre ishin të investuara në borxhin e qeverisë kryesisht instrumente si bono thesari dhe obligacione.

Në tregun e pensioneve private ushtrojnë aktivitetin të paktën katër fonde, Sigal, Credins Pensions, Raiffeisen, Albsig.

Sa i takon ndarjes së vlerës së aseteve neto në treg të dhënat tregojnë se SIGAL ka 44.19 për qind të totalit ndërsa numri i anëtarëve të saj është sa 27.17 për qind.

Credins Pension zë 30.11 për qind të totalit neto të aseteve me një numër anëtarësh që llogaritet sa 56.79 për qind e totalit.

Raiffeisen ka 24.41 për qind të vlerës neto të aseteve të tregut ndërsa në numër anëtarësh ka 10.05 për qind të totalit.

Albsig llogaritet të ketë 1.29 për qind të vlerës neto të aseteve të tregut për 5.98 për qind të totalit të anëtarëve në fondet e pensioneve private.

Sipas AMF në statistikat e vitit të shkuar vihet re një rënie e planeve të pensioneve ku nga 266 që ishin në fund të vitit 2019 tashmë ato shënonin 238 në fund të dhjetorit 2020./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!