Liverpool ka shfaqur shumë oshilacione këtë sezon. Ecuria në Premier League nuk është aspak pozitive, ndryshe nga sezonin i kaluar, ku djemtë e Jurgen Klopp dominuan çdo kundërshtar dhe rikthyen titullin kampion në qytet pas plot 30 vitesh.
“The Reds” renditen në vend të gjashtë, kanë pësuar shtatë humbje dhe numërojnë 22 pikë më pak se Manchester City kryesues. Sonte në mbrëmje pret Chelsea në “Anfield”, duel direkt për një biletë në Champions League.
“Rezultatet janë problemi në botën e futbollit. Nëse nuk arrin rezultate pozitive, njerëzit nuk duan të dëgjojnë asgjë për ty. Nëse ia del të fitosh 15-20 ndeshje radhazi, po këta njerëz nisin e mbushin me lavde. Tifozët duan vetëm fitore, asgjë tjetër.
E di mirë se si po shkon ky sezon për ne dhe unë kam përgjegjësitë e mia. Ky është shkaku që nuk do të lejoj që të mos nxjerrim mësime nga kjo periudhë dhe të mos përmirësohemi. Di të them që unë jam një trajner më i mirë se në të kaluarën, kjo falë këtij sezoni.
Të pakta kanë qenë ditët ku jemi stërvitur me formacion fiks, teksa mua nuk më zinte gjumi natën duke menduar për ndryshimet që duhet të bëja në formacion. Njerëzit mund të thonë se po përpiqem të justifikohem, por nuk është e vërtetë.
Merrem me këtë profesion prej 20 vitesh dhe kurrë nuk më ka ndodhur të ndryshoj linjën mbrojtëse çdo javë. Kjo ka ndodhur për shkak të dëmtimeve. Për këtë arsye, e përsëris, ndjej se jam një trajner më i mirë falë këtij sezoni.
Shpresoj të tregoj në të ardhmen se kjo situatë e vështirë dhe e çuditshme më ka ndihmuar të përmirësohem“, deklaron për Sky Sports një nga trajnerët më të mirë në planet. /abcnews.al