Nga Erblina Mile
Financat publike kanë nisur vitin me një mosrealizim të thellë të ardhurave në buxhet. Sipas treguesve zyrtarë të ministrisë së financave në janar janë arkëtuar rreth 900 milionë lekë ose 7,3 milionë euro më pak se një vit më parë. Tkurrjen më të fortë rezulton se e ka pasur tatimi mbi fitimin që tregon vështirësitë me të cilat po përballet biznesi në vend.
Për ekspertin Selami Xhepa kjo situatë është ndikuar direkt nga një programim shumë optimist i buxhetit si dhe nga pasiguria e krijuar nga pandemia e cila vijon të japë efekte në ekonomi.
“Fillon te programimi. Sepse në fakt të gjitha parashikimet për vitin 2021 janë bërë mbisupozimin që ekonomia do të ketë një rritje me 5.5 për qind. Mbi këtë premisë ndërtohen edhe parashikimet buxhetore dhe fiskale. Kështu që një parashikim i tillë sigurisht që, në gjykimin tim, ishte optimist.”
Ekspertët kërkojnë shumë kujdes me administrimin e financave në një kohë që jemi në prag të fushatës elektorale ndërsa parashikimet janë që mosrealizimi i të ardhurave të jetë edhe më i fortë në muajt në vijim
“Presioni për të rritur shpenzimet publike edhe për efekt të zhvillimeve elektorale do të vendosin një presion shumë të fortë mbi financat publike. Mendoj që me përfundimin e procesit zgjedhor, nevoja për të rishikuar buxhetin do të jetë shumë evidente.”
Problem për ekonominë shqiptare mbetet edhe krijimi i detyrimeve të prapambetura .
“Hapja e një morie kantieresh ndërtimeish pa pasur financimin…sigurisht që bën që detyrimet të vijnë në rritje.”
Në muajin e parë të këtij viti sipas treguesve fiskal konstatohet një tkurrje edhe në zërin e shpenzimeve me rreth 3.3% ose 1.1 miliardë më pak krahasuar kjo me një vit më parë. /abcnews.al/