Javier Tebas, presidenti i La Liga, ka dhënë një interviste dhe flet për shumë çështje, duke nisur nga transferimet e mëdha që janë të pamundura për klubet spanjolle këtë verë, për të kaluar te largimi i Leo Messit nga Barcelona, shpenzimet me çmime të fryra në merkato dhe ecuria e klubeve spanjolle në kompeticionet europiane.
MBAPPE DHE HAALAND – “Do të ishte e vështirë për Haaland ose Mbappe të vinin në Spanjë. Vetëm një klub mund të firmosë me Mbappe dhe vetëm dy nënshkruajnë me Haaland. Mbappe ka edhe një vit kontratë me PSG dhe Real Madrid do të presë”.
KLUBET SPANJOLLE NË EUROPË – “Vite më parë dëgjova një diskutim në Radio Marca dhe thuhej se Rafael Nadal kishte mbaruar. Tingëllon e njëjtë për mua tani edhe për futbollin, për shkak të tri ndeshjeve. Duhet të bëni analiza më të gjera”.
TRANSFERIMET E SHTRENJTA – “Çmimet për” të cilat flitet për disa klube janë të vështira të paguhen, përveç klubeve shtetërore që firmosin me lojtarët me para gazi ose nafte. Ato janë klubet e vetme që mund të bëjnë marrëveshje të tilla dhe në një mënyrë të fshehtë.
Janë tetë miliard euro më pak në treg, vetëm PSG e Manchester City mund bëjnë transferime të tilla falë dopingut financiar. Është e pamundur që klubet e tjera të paguajnë shifra të çmendura. Unë nuk kam shumë besim te ‘fair play’ financiar i UEFA-s.
Mendoj se ato rregulla duhet të respektohen dhe të zbatohen në mënyrë rigoroze, UEFA ndëshkoi City-n dhe PSG-në, por më pas CAS i ngriu ato vendime. Nuk e di nëse shqetësimi im lidhet me UEFA-n, apo CAS-in. Ka shumë vendime që kanë nevojë për investigime. CAS duhet të hetojë mbi atë që po ndodh me shumë vendime”.
LARGIMI I MESSIT – “Neymar dhe Cristiano Ronaldo ikën dhe ne kemi bërë mirë sërish. Ne duam më të mirën për LaLiga dhe Messi i jep shumë asaj. Do të ishte për të ardhur keq të shohësh Barcelonën të humbasë hajmalinë e vet dhe nuk mendoj se ndarja do të ishte e mirë për Messin”, është shprehur Tebas. /abcnews.al