Vjosa Osmani pas takimit me Lajçak: Dialogu me Serbinë veç për njohje recirproke

schedule09:05 - 2 Mars, 2021

schedule 09:05 - 2 Mars, 2021

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur një konferencë për media pas takimit me emisarin e BE-së, Mirsolav Lajçak.

Osmani ka thënë se me Lajçakun ka biseduar për dialogun, duke thënë se ky proces ka nevojë për rishikim.

“Ne patëm një diskutim shumë përmbajtjesor në takimin me z.Lajcak, të deleguarin e BE-së për dialog, e bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës që për ne procesi i dialogut duhet ta ketë një ‘reset’, një rishikim i cili ndër të tjera do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur dhe të respektojë interesat e veta dhe të qytetarëve në një proces që duhet të rezultojë në njohje reciproke në kufijtë aktual dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Është shumë me rëndësi që sapo të konstituohen institucionet e reja që të gjitha informatat për këtë proces të i drejtohen institucioneve të reja në mënyrë që të gjitha ato marrëveshje që janë arritur të shikohen. Del që Serbia nuk i ka respektuar shumicën e marrëveshjeve”, ka thënë e njejta.

Osmani ka thënë se do të diskutohet vetëm për njohje reciproke.

“Duhet të sigurohemi që të respektohet mandati që e marrim nga parlamenti, vijat e kuqe që vendosen nga parlamenti. Nuk lejohet që të negociohet me kufijtë e Kosovës. Nuk ka cka të negociohet për statusin e Kosovës, presim që të përfundojë me njohjen. Është shumë me rëndësi që në këtë proces të kemi një koordinim shumë të afërt me opozitën të i informojmë me detaje sepse vetëm atëherë mund të jemi të suksesshëm. Si presidente do të punoj shumë afër me opozitën me shoqërinë civile dhe mediat e me qytetarët që të kemi një mbështetje të plotë rreth këtij procesi”, tha ajo.

“Është koha që në Bruksel e gjetiu të kërkohet përgjegjësi nga Serbia e drejtësi për viktimat. Jo vetëm tani që po fillon përkujtimi i masakrave të shumta po edhe deri në qershor nuk ka ditë që nuk përkujtojmë një masakër. Ne presim që dialogu të jetë në mes të dy palëve të barabarta”, ka shtuar Osmani.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!