Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Bruksel për procesin e integrimit. Pjesë e delegacionit ishte edhe kryenegociatori i Shqipërisë në Bruksel për integrimin, Zef Mazi, i cili në një intervistë për gazetaren e ABC, Fabiola Hoxha u shpreh se Tirana i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe tashmë pret datën për konferencën e parë ndërqeveritare. “U theksua se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat për mbledhjen e konferencës së parë ndërqeveritare” tha ai.
Në konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell deklaroi se disa shtete janë të mendimit se ka nevojë të avancohet më shumë deri në datën e konferencës së parë ndërqeveritare. Por, Mazi nuk pajtohet me këtë, duke thënë se fjalët e Borrel janë keqinterpretuar.
“Ju nuk mund të keqinterpretoni fjalët që dëgjoni, unë isha prezent, nuk u tha se ka disa shtete, është proces që vazhdon përpara. Shtete anëtarë diskutojnë mbi bazën e raportit që paraqet komisioni, në fund të marsit do ta diskutojnë përsëri.
Ata do të bazohen te komisioni, që tha se Shqipëri i ka plotësuar kërkesat. Shtete të ndryshme kanë mendime të ndryshme. Unioni do të gjejë një mënyrë që ecuria të shkojë mbarë dhe të mbahet konferenca brenda 6 mujorit të parit të këtij viti.
Unioni tani duhet të bëjë detyrat e tij. Mbledhjen e ardhshme do të diskutohet do të shikojnë rezultatet konkrete faktike, raportet që dërgon delegacioni i BE në Shqipëri dhe ambasadat e tjera. Ne i plotësuam të gjitha kërkesat. Edhe ato shtete që kanë qenë skeptike do të bisedojmë si e shikojnë situatën pasi të lexojnë raportin e KE” tha ai.
Por, cfarë i garantoi Shqipëria, Borrellit për shit-blerjen e votave? “U raportua në komision, janë 20 ish-komisionerë në ndjekje penale. U theksua se unioni flet që në lista të jenë njerëz me integritet” tha ai. /db/ Abcnews.al