Juventusi zhvillon ndeshje e radhës në kampionat nesër në mbrëmje. Bardhezinjtë presin Spezian në Torino (e martë, 20:45), një sfidë që duhet fituar për të reaguar pas barazimit ndaj Hellas Veronës dhe për të vijuar ndjekjen e Interit kryesues.
Trajneri i kampionëve të Italisë, Andrea Pirlo thur elozhe për skuadrën ku aktivizohet Ardian Ismajli. Spezia po zhvillon sezonin e parë në histori në Serie A dhe ka treguar se mund t’i hapë probleme çdo kundërshtari.
“Spezia po tregon se e meriton të luajë në Serie A. Të gjithë menduan se do të ishte thjesht një hirushe, por po tregon se mund të përballet me çdo kundërshtar. Na pret një ndeshje e vështirë dhe tepër e rëndësishme.
Duhet të rikuperojmë dy pikët që humbëm në Verona, duhet të luajmë me ritëm të lartë që në fillim, pasi do të kemi përballë një ekip të shkëlqyer. Humori i skuadrës është i mirë. E dimë që kemi lënë shumë pikë rrugës, por nuk duhet të ulim kokën.
Kampionati është i gjatë dhe kemi entuziazëm për të arritur objektivat tona. Nuk duhet të mbajmë mendjen tek e kaluara, të fokusohemi vetëm te Spezia. Chiesa sulmues i dytë? Jo, pasi nuk kemi sulmues krahu të tjerë.
Morata u stërvit pak sot me ne. Të shohim se në çfarë gjendje do të jetë nesër dhe më pas do të vendosim nëse do të luajë. McKennie ka probleme fizike, por kemi mungesa këtë periudhë dhe ai duhet të sakrifikojë“, përfundoi Pirlo. /abcnews.al