Christian Panucci ka vënë theksin tek disiplina në fillim të përgatitjeve për ndeshjet ndaj Izraelit e Skocisë. Italiani ka theksuar se ekipi ka nevojë për shumë punë për të qenë gati, ndërsa koha është e kufizuar.
Tensioni është vërtet i madh edhe pse në sipërfaqe nuk duket.
Kombëtarja luan për më pak se një javë ndaj Izraelit, e pastaj kundër Skocisë në Ligën e Kombeve, dhe trajneri Christian Panucci duket sikur ndjen se nuk ka shumë kohë në dispozicion.
Pasi është përshëndetur me lojtarë të rikthyer në ekip, siç ishte Jahmir Hyka, italiani ka kërkuar menjëherë disiplinë të hekurt, stërvitje pa fjalë e batuta, me një synim kryesor, shfrytëzimin e kohës.
“Kemi dy ndeshje të forta për të luajtur, ndërsa kemi shumë pak ditë në dispozicion, – mësohet t’u ketë thënë trajneri, lojtarëve, – për këtë arsye, nuk duhet të humbasim asnjë çast, pasi ndryshe nuk do të jemi gati”.
Italiani ka ushtruar presion ndaj lojtarëve edhe pasi nisën stërvitjen, që të zbatonin porosinë e tij për të zhvilluar shpejt ushtrimet taktike, për të fituar sa më shumë minuta.
Panucci vërtet ka kthyer mjaft lojtarë me përvojë në ekip, si Bashën, Hykën, Kaçen apo Memushajn, veçse prurjet e reja janë të shumta, pra duhet shumë punë për të harmonizuar grupin.
Në grumbullim janë thirrur të paktën 10 lojtarë që mund të quhen të rinj, si Mihaj, Demiri, Prenga, Lika, Binaku, Ndoj, Guri apo Gavazaj, pra njohja e lojtarëve me njëri-tjetrin nuk mund të quhet shumë e madhe.
Shqetësim më vete është mbrojtja, me Mavrajn prej kohësh pa ekip, ndërsa Veseli nuk është se ka luajtur shumë.
Izraeli, por sidomos Skocia, njihen për lojën në ajër në sulm, ndaj edhe mbrojtja duhet të jetë gati./abcnews.al