Pas gati një viti ndërprerjeje, në Shqipëri nis sezoni i basketbollit. Në javën e parë të Superligës, Teuta mundi Vllazninë. Himni kombëtar ishte i bukur për t’u dëgjuar pas kaq kohësh, por në dy nga tre ndeshjet e para mungoi diçka e rëndësishme.
Basketbolli shqiptar, në rifillimin e shumëpritur të Superligës pas gati 1 viti ndërprerje, nuk u kujdes që të nderonte, qoftë edhe me një minutë heshtjeje personalitetin e madh të koshit, Arben Fagu, që “u shua” jo shumë ditë më parë.
Kjo gjë nuk ndodhi në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, ku u luajt ndeshja kryesore e javës së parë mes Teutës vendase dhe Vllaznisë.
Sipas informacioneve të ABC, minuta e heshtjes tek meshkujt u mbajt në ndeshjen tjetër në Durrës, Goga Basket-Partizani në Sallën Sportive “Dhimitraq Goga” dhe kjo sepse Fagu ka qenë pjesë e Partizanit.
Madje, as vetë Federata nuk shprehu asnjë ngushëllim për humbjen e këtij personaliteti. Duke u kthyer tek basketbolli i luajtur, Teuta e fitoi sfidën me Vllazninë 92-80, duke pasur epërsi tw ndjeshme.
Kapiteni Kristi Gorea shënoi 19 pikë për ekipin e trajnerit Milatovic, amerikani Strawberry 18, Pelisie 20, Dycre 17 dhe Gjonaj 14 pikë.
Tek shkodranët e drejtuar nga trajneri Mathiew Jones, më i miri ishte Davies me 21 pikë, Cooper shtoi 16, ndërsa Fasllia realizoi 10 pikë. Lojtari tjetër i huaj, Hundal, shënoi 17 pikë.
Gjithsesi, klubi i Vllaznisë në basketboll njoftoi para ndeshjes në rrjetet sociale se ekipi ishte stërvitur për një javë në kushte të vështira dhe ishte lejuar vetëm 1 seancë stërvitore në pallatin e sportit në Shkodër.
Në dy ndeshjet e tjera pati fitore të thella për vendasit. Goga Basket mundi Partizanin 102-62, ndërsa Tirana triumfoi 129-58 ndaj Eagles Basket në “Farie Hoti”. /abcnews.al