Monika Kryemadhi me strukturat në Dibër

schedule19:39 - 1 Nëntor, 2017

schedule 19:39 - 1 Nëntor, 2017

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte në Dibër ku zhvilloi një takim me strukturat e partisë atje. Gjatë takimit Monika Kryemadhi ka sulmuar kryeministrin dhe politikat e tij të cilat sipas kryetares së LSI vetëm kriminalizojnë dhe i largojnë qytetarët nga vendi.

Shkeli për herë të parë në cilësinë e kryetares së LSI ndaj edhe e nisi me një mea culpa.

“Unë jam bijë e kësaj zone. Sigurisht që kjo nuk më jep shansin për të ngritur zërin por për të ulur kokën dhe për të kërkuar falje si një dibrane por edhe si një politikane që duhet ta kishte ngritur zërin më shumë për këtë zonë, me bindjen se ky popull meriton më shumë sepse është një popull punëtor, i mençur por edhe i vuajtur”.

Në takimin me strukturat në Dibër, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u ndal tek ekonomia e vendit, nën dritën e projektbuxhetit 2018 dhe raportit të Bankës Botërore.

“Ekonomia në Shqipëri po vjen çdo ditë e më shumë duke u përkeqësuar, duke polarizuar problemet sociale dhe duke varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët.
Banka Botërore sapo konfirmoi se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket bërjes së biznesit, pra Doing Bussines, ku vihet re një përkeqësim të renditjes së Shqipërisë në këtë analizë, duke u pozicionuar 7 vende më poshtë.
Kjo do të thotë që taksat e larta dhe korrupsioni qeveritar po e përkeqëson klimën e biznesit”.

Zgjidhja?

“Kemi vetëm një rrugë, ndërgjegje dhe zgjim të vetëdijes kombëtare. E them këtë sepse është shumë e rëndësishme ngaqë kemi bërë beteja shumë më të forta e të vështira dhe kemi arritur qëllimin në të mirë të vendit dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”.

Një koment e bëri edhe për lëvizjet masive të funksionarëve të shtetit, nisur nga ajo më e fundit e 12 prefektëve të liruar nga detyra dhe zëvendësuar me vendim të këshillit të ministrave.

“ Kemi një qeveri që po shikojmë teatër se si emërohen apo çemërohen drejtorët apo prefektët dhe sigurisht që shikojmë dhe prova gjenerale apo teatrin e radhës nëpër televizione, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse kazani i oligarkëve, të cilët i përgatisin z. Rama apo kryeministrit Lolo të ardhmen e tij qeverisëse”.

Kryetarja e LSI njoftoi edhe mbledhjen e Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim që do të mbahet ditën e dielë në pallatin e sportit Asllan Rusi.

 

https://youtu.be/8OYdm2L5uWc

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!