Daja: Barazim i drejtë, u luajt hapur. Asani? Partizani më i madh se unë dhe ai

schedule18:33 - 27 Shkurt, 2021

schedule 18:33 - 27 Shkurt, 2021

Ilir Daja, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes që “demat e kuq” barazuan me Laçin, foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Ai analizoi atë që ndodhi në fushën e blertë dhe realisht të dyja skuadrat bënë një ndeshje të mirë.

Ishte një ndeshje me shumë ritëm, të dy ekipet kërkuan fitoren. Çfarë çedoi? Kishte pak ekuilibra në lojë, nuk e nisëm shumë mirë ndeshjen. Laçi na kapi dy herë të papërgatitur. Dëshira sot ishte maksimale dhe doza maksimale dhe përgjegjësia e ndeshjes ishte në nivelin e duhur. Çedoi ekuilibri taktik, prandaj kishte aq shumë raste, që nuk duhet të jenë kaq të shumta në një ndeshje të tillë.

Të dy ekipet kishin dëshirë për të fituar ndeshjen, ekipet ishin të hapura në fushë. Sa herë që sulmonim ne apo kundërshtari, lojtarët kishin hapësira të mëdha. Do të thotë që ekuilibrat në fushë linin për të dëshiruar. Përgjegjësitë më të mëdha i mban trajneri. Kemi punuar ndryshe gjatë javës, por ndikoi edhe dëmtimi i Brojës.

Duhet të përqendrohemi te ndeshjet tona. Ka entuziazëm ekipi, ka edhe dëshirë për të sakrifikuar për rezultatin. Por duhet të kemi më shumë ekuilibër, që të mos i lëmë gjë spontanitetit. E rëndësishme është të dalësh përpara portës dhe të ndërtosh. Këtë gjë nuk po kuptonim në 15 minutat e para. Kundërshtari pati merita, po na vinte me presing lart.

Asani? Sapo ka mbaruar ndeshja, kështu që trajneri nuk duhet të flasë për lojtarët e tij në një moment të tillë. Sot Asani nuk ishte pjesë e grupit, sepse është nga lojtarët më të talentuar të Superiores. Duhet të mësojë një gjë: është më i rëndësishëm Partizani sesa Ilir Daja apo ndonjë lojtar tjetër. Kjo ishte për Asanin. Çdo lojtar ka përgjegjësitë e veta, sidomos një lojtar i mirë si Asani.

Loja është 90 minuta. Në bëmë mirë në 45 minutat e para, por çdo lojtar duhet të japë maksimumin, kur e nis si titullar por edhe kur futet në fushë si zëvendësues. Mungesat? Kishim mungesa shumë të rëndësishme. Kur Broja vritet në stërvitje dy ditë përpara ndeshjes, ndryshon strategjia totalisht. Na penalizoi një gjë e tillë. Është ndryshe kur e di se çfarë mungesash ke që në fillim të javës.

Barazimi? Nuk jemi të kënaqur me një pikë, edhe pse duhet respektuar kundërshtari. Janë gati në të njëjtin pozicion ku jemi edhe ne. Kur ekipi nuk ka ekuilibër, shpenzimi i energjive është goxha i madh, sidomos për mesfushorët, të cilët duhet të bëjnë punë dyfish. U ndje disi në pjesën e dytë, por ishim prezent në lojë dhe ishim të barabartë me kundërshtarin.

Barazimi ishte rezultati më i drejtë me atë që prodhuan ekipet në fushën e blertë. Ne dhe Laçi luftojmë fort në fushën e blertë, luftojmë për kreun dhe kemi objektiva të barabarta. Dëshira e madhe për fitore i prish ekuilibrat ndonjëherë. Nëse dëshira kalon mbi logjikën, këto lloj ekuilibrash prishen“, përfundoi Ilir Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!