Prag fushate, rriten me 2.3 herë lejet e ndërtimit në fund të 2020

schedule15:31 - 26 Shkurt, 2021

schedule 15:31 - 26 Shkurt, 2021

Nga Erblina Mile 

Lejet e ndërtimeve kanë pësuar një rritje të sipërfaqes  me 2.3 herë në tre muajt e fundit të 2020 ndërsa na ndajnë edhe pak javë nga zgjedhjet parlamentare.

Sipas të dhënave të INSTAT, rezulton se gjatë periudhës tetor-nëntor-dhjetor janë miratuar gjithsej 306 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 202 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2019, duke shënuar një rritje prej 51,5 % të sipërfaqes .

Por nëse bëjmë një krahasim të numrit total të lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë 2020 rezulton se janë dhënë 133  më pak. Kryeqyteti vijon të mbetet i favorizuari duke marrë më shumë leje ndërtimi se qarqet e tjera në vend.

Vetëm në 3 muajt e fundit për Tiranën janë miratuar 98 leje ndërtimi ose më shumë se dyfish i sipërfaqes  në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas kryeqytetit renditet Durrësi  ku shtimi i lejeve të ndërtimit lidhet edhe me procesin e rindërtimit pasi ky ishte një ndër qytetet më të prekura nga tërmeti i 2019.Më pas renditen Elbasani, Fieri dhe Korça .

Në tremujorin e katërt 2020, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 28,9 miliardë lekë, nga 11,7 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2019, duke shënuar një rritje me rreth 2,5 herë.

Për sa i përket llojit të ndërtimeve peshën kryesore e mbajnë banesat individuale por nuk mbeten pas edhe ndërtesat industriale apo qendrat tregtare dhe hotelet. /abcnews.al/