Ekonomitë pa para

schedule22:45 - 2 Shtator, 2018

schedule 22:45 - 2 Shtator, 2018

Bizneset amerikane ka kohë që po përgatiten për një ekonomi pa para, pasi përdorimi i kartave të kreditit dhe debitit, është bërë më i përhapur sesa përdorimi i kartmonedhave. Por, lëvizja drejt një ekonomie pa para në dorë, mund të hasë një pengesë në kryeqytetin e vendit. Disa anëtarë të këshillit të Uashingtonit thonë se prirja e shmangies së përdorimit të kartmonedhave, ka shkuar tepër larg. Dhe nëse projektligj i ri, i paraqitur nga anëtari i këshillit të qytetit, David Grosso, miratohet – disa biznese që operojnë vetëm përmes kartave të kreditit mund të përfundojnë të paguajnë gjoba të mëdha. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mariia Prus na ka dërguar këtë kronikë.

Nga lëngjet e shtrydhura të frutave e deri tek sorbetë – Jrink shërben ushqime të shpejta dhe të shëndetshme për njerëzit që nxitojnë në Uashington. Nuk ka nevojë të kërkosh për të holla në xhepa për të paguar … Jrink nuk pranon para në dorë.

Përdorim këtë aplikacion të thjeshtë që ka gjithë produktet tona të rradhitura sipas alfabetit, dhe që lidhet me këtë lexues të kartave të kreditit. Pra thjesht klikon aplikacionin, firmos faturën elektronike dhe ke mbaruar punë“, shpjegon Kate Murphy, menaxhere e kompanisë Jrink.

Pagesat pa para në dorë, janë të volitshme edhe për menaxherët. Nuk ka nevojë të llogaritësh në mënyrë manuale transaksionet e ditës dhe ka më pak shqetësim se biznesi mund të grabitet.

Kur fillova punë në këtë kompani, u habita që funksiononin pa para, gjë që e bën shumë të lehtë punën për mua si arkëtare. Dhe më pëlqen kjo ide“, thotë Jennifer Garcia.

Megjithë lehtësirat, biznese të tilla mund ta gjejnë veten në shkelje të ligjeve të qytetit. Anëtari i këshillit të bashkiak, David Grosso beson se kjo praktikë diskriminon segmente të mëdha të popullsisë së qytetit që veprojnë vetëm me para në dorë. Ai thotë se bizneset që nuk lejojnë njerëzit të paguajnë me para në dorë duhet të gjobiten.

Pothuajse 30% e banorëve të qytetit nuk kanë llogari bankare, apo karta krediti dhe i bëjnë të gjitha transaksionet me para në dorë. Ata nuk kanë qasje ndaj shumë gjërave në shoqëri, sepse nuk kanë shumë para. Prandaj kur pakësoni mundësitë e tyre ndaj ushqimit duke thënë se duhet të keni një kartë krediti, mendoj se është e padrejtë dhe se duhet ta ndalojmë këtë praktikë“, thotë zoti Grosso.

Zoti Grosso këshillon bizneset të mbajnë kasaforta për të ruajtur paratë e tyre. Ai thotë se ata që refuzojnë pagesat me para në dorë duhet të detyrohen të paguajnë gjobë. Zoti Grosso thotë se 8,000 dollarë do të ishin një gjobë e drejtë. Dhe ai ka mbështetës.

Për shkak se udhëtoj për biznes në të gjithë vendin, kartat e kreditit janë më të mirat, por e kuptoj se restorantet lokale dhe disa njerëz preferojnë të paguajnë me para, prandaj mendoj se kartat e kreditit dhe paratë duhet të jenë një opsion që të gjitha restorantet duhet ta kenë“, thotë Bill Hild, biznesmen.

Preferoj të përdor para në dorë, veçanërisht kur jam në qytetin tim. Kështu e kam më të lehtë të mbaj llogaritë e mia”, thotë Chris Curry, biznesmen.

Sipas sistemit TSYS, që kryen shërbimin e pagesave të kartave tëkreditit, vetëm rreth 12% e amerikanëve preferojnë paratë në dorë në vend të kartave. Por, Shoqata Ndërkombëtare e Monedhave mendon ndryshe. Të dhënat e tyre tregojnë se përdorimi i parave është rritur që nga viti 2012 paralel me shtimin e popullaritetit të transaksioneve elektronike.

Çfarë ndodh nëse sistemet prishen? Kompania ‘Visa’ kohët e fundit pati një problem në Evropë dhe njerëzit nuk ishin në gjendje të bënin pagesa për disa orë. E njëjta gjë ndodhi kohët e fundit edhe me kompaninë ‘MasterCard’”, thotë Cuillaume Lepecq, me Shoqatën Ndërkombëtare të Monedhave.

Sot vetëm bizneset në shtetin e Masaçusetsit janë ligjërisht të detyruara të pranojnë pagesa me para në dorë. Uashingtoni mund të bëhet tjetri. Por përkrahësit e një shoqërie pa para në dorë thonë se ky është një hap prapa dhe mund të nënkuptojë humbje financiare për bizneset që specializohen vetëm në transaksione elektronike./Zëri i Amerikës

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!