Jamal Musiala është një nga talentet më të mëdhenj të Bayern Munchen. 17-vjeçari me origjinë angleze por i lindur në Gjermani, realizoi një nga golat e fitores 1-4 ndaj Lazios mbrëmjen e kaluar në duelin e Champions League.
Talenti i ri është lindur e rritur në Stuttgart, por nisi të luante me ekipet e moshave të Anglisë. Pas dy viteve me fanellën e “3 Luanëve”, Musiala vendosi të luante për Gjermaninë U16. Megjithatë, u rikthye sërish në ishullin britanik, ku luajti dhe për kombëtaren U21 dy ndeshje.
Adoleshenti ka bërë zgjedhjen e tij finale, teksa ka vendosur të garojë për kombëtaren e Gjermanisë. Trajneri i “Pancerave”, Joachim Low nuk e ka fshehur entuziazmin e tij rreth talentit bavarez. “Jam shumë i gëzuar që Musiala ka vendosur të luajë për Gjermaninë në të ardhmen.
Shoh një potencial të jashtëzakonshëm tek ky lojtar. Nuk mund ta them me garanci të plotë, por besoj se do ta grumbullojmë për tre ndeshjet eliminatore të muajit mars“, deklaroi trajneri i kombëtares gjermane. /abcnews.al