Bota e golfit dhe mbarë opinioni sportiv u trondit ditën e djeshme, kur u konfirmua se Tiger Woods pësoi një aksident automobilistik. Legjenda e golfit pësoi një dëmtim serioz në këmbë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Mbi aksidentin reagoi edhe ish-kapiteni i Juventus, Alessandro Del Piero, i cili kalon shpesh në atë rrugë.
Në një intervistë për “Sky Sport Italia”, italiani shpjegon se ajo zonë në Los Angelos është shumë e qetë në orët e para të ditës si dhe janë rrugë të gjera. Del Piero nuk preferon të spekulojë, por kujton se Tiger ka kaluar një operacion një muaj më parë dhe sipas tij kjo mund të ketë ndikuar në përplasje.
“Unë e njoh shumë mirë atë rrugë, sepse është një zonë ku unë kaloj shpesh pasi shkoj së bashku me djalin tim në akademinë tonë për t’u stërvitur. Është një zonë e banuar dhe ka disa fusha golfi shumë të bukura. Në orët e mëngjesit nuk ka asnjë lëvizje zakonisht. Ato janë rrugë të gjera dhe të lehta për të ecur në orët e para të ditës. Nuk mund të rrëshkasësh atje”, deklaron italiani.
“Është keq të spekulojmë. Nuk mund të themi se Woods mund të ketë qenë në gjumë. Duhet kujtuar se pas operacionit që iu nënshtrua një muaj më parë, ai ka marë shumë qetësues për shkak të dhimbjeve. Nuk e di nëse kjo mund të ketë ndikuar, por hetimet do të tregojnë gjithçka”, përfundon Del Piero. /abcnews.al