Vritet 30 vjeçari në Shkodër, po bënte hipizëm me dy kushërinjtë

schedule20:05 - 1 Shtator, 2018

schedule 20:05 - 1 Shtator, 2018

Një 30 vjeçar është vrarë me armë zjarri në fshatin Dobraç të Shkodrës. Ai po ushtronte sportin e hipizmit së bashku me dy kushërinjtë kur është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Policia është vënë në kërkim të autorit.

Ishte me dy kushërinjtë në zonën e Livadhes në Shkodër kur 30 vjeçari u qëllua me dy plumba në kokë nga persona ende të paidentifikuar.

Arian Ferracaku gjeti vdekjen ditën që kishte dalë për hipizim, një pasion i tij.

Rreth orës 13:50 policia lokale mori njoftim për një person të vrarë në fshatin Dobraç.   Krimi ka ndodhur në vendin e quajtur “Bregu i Ranës” pranë liqenit të Shkodrës.

600 metra larg viktimës është gjetur një mjet i djegur. Sipas policisë mjeti i shkrumbuar dhe viktima nuk kanë lidhje me njëra –tjetrën.

Nga hetimet e deritanishme, viktima nuk rezulton të ketë qenë person problematik, apo me precedentë penalë.

Mësohet se 30 vjeçari Ferracaku, baba i dy fëmijëve dhe familjarët e tij janë pronarët e disa bizneseve në Velipojë dhe në Shkodër.

Policia ka nisur krehjen e zonës për të rënë në gjurmet e autorit. Ndërkohë shërbimet e tjera kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore rurale.

Dy kushërinjtë që po bënin xhiro me kalë së bashku me viktimën u shoqëruan në komisariat për t’u marre në pyetje. Burime nga hetimi thanë se autori ka qenë  i pamaskuar, dhe po i priste në Livadhe viktimën dhe dy personat e tjerë. Autori ka qëlluar me breshëri automatiku, por dy kushërinjtë që ndodheshin me 30 vjeçarin Ferracaku kanë mundur të largohen duke i shpëtuar plumbave. Sipas burimeve,  ata të dy mund ta njohin autorin e krimit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!