Sulmuesi i Chelseas, Timo Werner, më në fund arriti të shënojë në fundjavën që lamë pas. Gjermani kishte që në fitoren e 7 nëntorit kundër Sheffield United pa shënuar dhe ky gol pas 1000 minutave “thatësire” i ka dhënë shumë besim atij. Në një intervistë për “Kicker”, Werner tregon se tashmë e ndjen veten më të ambientuar falë edhe trajnerit Tuchel.
“Një kohë aq e gjatë pa shënuar siç e kalova unë është shumë e vështirë për një sulmues. Është vetë kampionati i tillë. Nëse një ekip është 1-0 në 15 minutat e para, atëherë më pas ata parkojnë “autobusin” para portës së tyre. Këtu lojtarët janë 1.90 metra të gjatë, të fortë fizikisht dhe shumë të shpejtë, përfshirë këtu edhe mbrojtësit. Intensiteti i lojës është me të vërtet mbresëlënës”, deklaron gjermani.
“Edhe pse po punoj shumë me anglishten time, me Lampard nuk mund të shprehesha gjithmonë ashtu siç dëshiroja. Duhej të isha shumë i kujdesshëm që të mos keqkuptohesha. Tani, sigurisht që gjuha nuk është më një problem, pasi me ardhjen e Tuchel unë ndihem pothuajse si në shtëpinë time,” përfundon Werner. /abcnews.al