Pavarësisht se doli nga skema e borxhit, ekspertët ndërkombëtarë deklarojnë se Greqia është ende larg rimëkëmbjes ekonomike. Ata i sugjerojnë shtetit helen që të vijojë rrugën e reformave fiskale, si e vetmja mënyrë për të rigjetur prosperitetin e dikurshëm.
Greqia ka përpara një rrugë të gjatë për të arritur rimëkëmbjen nga rrënimi që i shkaktoi kriza ekonomike, pavarësisht daljes nga programi i ndihmës ekonomike. Jens Vajdman, drejtues i bankës gjermane Bundesbank, ka deklaruar se vendi ballkanas ka bërë progres, por ka shtuar se Athina duhet të qëndrojë në kursin e reformave. “Fundi i programit të ndihmave nuk do të thotë se vendi ka kaluar vijën e finisht, por se është vendosur një gur kilometrik në rrugën e gjatë të rimëkëmbjes”, ka thënë Vajdman gjatë një eventi në Athinë. I pranishëm, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar se qeveria e tij tashmë ka hapësirë për të lehtësuar skemën e taksave.
Por Vajdman ka insistuar se vendi duhet të vijojë kursimet në buxhet, reformimin e institucioneve dhe reduktimin e mëtejshëm të kredive të pashlyera ndaj bankave. “Rruga drejt prosperitetit për Greqinë shtrihet në strategjinë fiskale që ajo do të ndjekë në vitet e ardhshme”, ka vijuar Vajdman. Ai ka nënvizuar se në situatën aktuale, shteti helen po menaxhon një buxhet të strukturuar, që do të thotë se tkurrja e masave fiskale nuk duhet të shkojë më tej. Më 20 gusht Greqia doli nga programi më i madh i ndihmës ekonomike në historinë e saj, por grekët ndihen ende të raskapitur nga 9 vjet shkurtime shpenzimesh dhe humbje vendesh pune./abcnews.al