Dy pikë të lëna në Korçë. Vllaznia nuk është më ai ekipi i disa javëve më parë, kur fitonte dhe zhvillonte ndeshje të bukura. Kuqeblutë e mbyllën në barazim 1-1 sfidën e sotme, ndeshje ku nuk meritonin asgjë më shumë.
Trajneri i ekipit shkodran, Thomas Brdaric foli për takimin në prononcimin e dhënë për Supersport, duke theksuar se nuk arrin ta kuptojë paraqitjen e djemve të tij në fraksionin e parë të ndeshjes.
“Isha totalisht i befasuar nga performanca e ekipit tonë në pjesën e parë. Duhet ta analizojmë, nuk arrij ta kuptoj. E dinim që Skënderbeu nuk ka asgjë për të humbur dhe i lejuam shumë hapësira. I thashë lojtarëve në pushim që nuk e pranoj dot një lojë të tillë.
Pjesa e dytë ishte më e mirë, reaguam, bëmë më mirë. Ishim skuadra më e mirë në pjesën e dytë, por pjesën e parë nuk arrij ta kuptoj. Dilaver? Gol i rëndësishëm, do i japë besim, jam i kënaqur me të. Ai merr përgjegjësi dhe më pëlqen një gjë e tillë.
Jam disi i shqetësuar, e kishim përgatitur mirë ndeshjen. E dinim që Skënderbeu donte pikë për mbijetesën, por dikush nuk u tregua i kujdesshëm në pjesën e parë. Duhet t’i japim freski skuadrës. E lamë Dilaver në stol, ka pasur presion. Duhen aktivizuar edhe lojtarët e tjerë.
Avdijaj? Çdokush ka përgjegjësi, ne i dhamë mundësinë lojtarit. Ne nuk jemi ekip që nuk gabojmë, të gjithë gabojmë. Marrim përgjegjësitë, sot duhet të jemi të kënaqur me pikën e marrë, edhe pse duam të fitojmë gjithmonë.
Ne jemi në pozicion shumë të mirë, por nuk duhet të rehatohemi. Duhet ta kemi të qartë që të gjithë japin maksimumin ndaj nesh. Ne nuk kemi mundësi për t’u rritur më tej, jemi në maksimumin tonë. Nuk ia dalim të fitojmë nëse nuk japim 100% dhe bëjmë gabime, siç bëmë sot në pjesën e parë.
Arbitrimi? Nuk ankohem për gjykimin, edhe ata kanë një punë të vështirë. Sipas mendimit tim, duhet të kishim fituar më shumë penallti. Ka pasur dy raste kur topi është prekur me dorë, por nuk u akordua penallti. Arbitri më tha që ishin prekje me dorë. Megjithatë, nuk na ka faj arbitri, duhet të kishim luajtur një futboll më të mirë“, përfundoi Brdaric. /abcnews.al