E ka telefonuar gazetaren Klodiana Lala edhe Presidenti i Republikës,Ilir Meta. Jo vetëm i ka shprehur solidaritetin e plotë me të dhe vajzat e prindërit e saj, por kreu i shtetit e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush.
Ilir Meta: “Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj.”
Në mesazhin publik presidenti Meta nënvizoi se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike. Një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama. Në rrjetet sociale ai bën thirrje për zbardhje të ngjarjes.
Edi Rama: “E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”.
Me forcë e ka dënuar edhe OSBE sulmin kundër gazetares Klodiana Lala duke nxitur gjithashtu autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës. Media e lirë luan rol thelbësor në demokraci dhe dhuna kundër gazetarëve është shenjë shumë negative për shëndetin dhe lirinë e shoqërisë- e përfundon reagimin e saj në rrjetet sociale prezenca e OSBE në vendin tonë./abcnews.al