Guvernatori i New York, Andrew Cuomo rrezikon shkarkimin nga posti pasi sipas akuzave ka manipuluar shifrat e viktimave nga Covid në azilet e të moshuarve.
Departamenti amerikan i drejtësisë ka analizuar grupin e punës për koronavirus të guvernatorit dhe po përpiqet të verifikojë nëse shteti ka manipuluar qëllimisht të dhënat për viktimat në azile, sipas raportimeve të Asociated Press.
Sipas kësaj të fundit administrata Cuomo nuk ka bashkëpunuar me prokurorinë sidomos në fazën e parë të hetimeve dhe për muaj të tërë nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuar nga departamenti i drejtësisë.
Hetimi ka filluar muaj më parë në divizionin civil të departamentit të drejtësisë dhe është rikthyer në vëmendje javët e fundit pas provave për faktin se administrata Cuomo ka dhënë një panoramë të paplotë të numrit të viktimave në azilet e të moshuarve dhe në strukturat e rezidencave ku asistohen të moshuarit.
Javët e fundit, janë deklaruar 15 mijë viktima, ndërsa sipas guvernatorit ishin 8500.
Një bashkëpunëtore dhe këshilltare e tij e ngushtë, Melissa deRosa, pranoi gjatë një mbledhjeje online me krerët e partisë vendore, se kishte përgjysmuar numrin zyrtar të viktimave në azilet e të moshuarve për të shmangur sulmet nga ana e ish presidentit Donald Trump.
Vetë demokratët, të mbështetur nga republikanët kërkojnë që Cuomo-s t’i hiqet pushteti i dhënies së urdhrave për menaxhimin e emergjencës shëndetësore. Tashmë guvernatori akuzohet se ka kërcënuar politikisht anëtarët e partisë së tij që e kanë kritikuar dhe nuk po e mbrojnë nga skandali që e ka përfshirë./abcnews.al