Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza finalizuan një operacion dhe bënë të mundur sekuestrimin e një skafi që autoritetet shqiptare i ishin vënë në ndjekje që të mërkurën.
Mjeti lundrues u gjend në afërsi të lokalitetit Sant Andrea të Otrantos dhe drejtohej nga dy shqiptarë, A.R, 30 vjeç dhe D.G, 22 vjeç.
Të mërkurën e 29 Gushtit, Policia Kufitare e Vlorës mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative u vu në ndjekje të skafit. Por pasi humbën kontaktet dhe mjeti hyri në ujërat ndërkombëtare, policia njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve.
Operacioni mes dy palëve u finalizua mëngjesin e kësaj të enjteje, ku u sekuestruan 700 kilogramë marijuanë. Ndërkohë po vijojnë hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku.
Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda./abcnews.al