Vuçiç për Kosovën: Më shqetëson qëndrimi klasës politike serbe

schedule22:59 - 29 Gusht, 2018

schedule 22:59 - 29 Gusht, 2018

Beogradi zyrtar po bën një lojë të dyfishtë sa i takon çështjes së Kosovës. Nëse në njërën anë ministri i Jashtëm Ivica Daçiç flet për një avantazh të Beogradit, presidenti Aleksandar Vuçiç paralajmëron se Serbia mund të dalë e humbur nga procesi i bisedimeve me Prishtinën.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se zgjidhja e kontestit me Kosovën është ende larg dhe ka paralajmëruar rrezikun që Beogradi të mos fitojë asgjë nga bisedimet me Prishtinën. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Beta”, Vuçiç është pyetur konkretisht se çfarë do të bëjë Serbia në rast të një skenari të tillë. “Çfarë do të bëjmë nëse nuk na japin asgjë? Nëse bëj një parashikim të guximshëm mund të them se edhe kështu mund të ndodhë”, është përgjigjur Vuçiç. Kreu i shtetit serb ka theksuar se është me rëndësi që të arrihet një zgjidhje racionale që të marrë parasysh edhe interesat e Serbisë, por është shprehur skeptik. “Nëse mund të merremi vesh, mirë. Nëse jo, prap mirë”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka nënvizuar se çështja e Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me interesat e serbëve dhe shqiptarëve, por edhe të shteteve të tjera që angazhojnë në Ballkan shërbimet e tyre të inteligjencës. Ndërsa ka thënë se i mirëkupton liderët europianë, mes të cilëve kancelaren Merkel, që shprehen kundër ndryshimit të kufijve, presidenti ka shtuar se nuk kupton politikanët serbë, të cilët sipas tij janë gati të shkatërrojnë jo vetëm atë, por edhe Serbinë. Por pavarësisht maturisë dhe skepticizmit të Vuçiç, ajo që bie në sy është se deklaratat e tij bien ndesh me ato më optimiste të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, që së fundmi ka deklaruar se Beogradi ka arritur të ndryshojë perceptimin e vendeve të Perëndimit ndaj çështjes së Kosovës. Dy qëndrime këto të ndryshme, por që mund të jenë pjesë e së njëjtës strategji për të maskuar lëvizjet e Serbisë në Ballkan dhe në rrafshin diplomatik ndërkombëtar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!