BE paralajmëron Italinë: Pasoja nëse nuk derdh kontributet për emigrantët

schedule21:48 - 29 Gusht, 2018

schedule 21:48 - 29 Gusht, 2018

Bashkimi Europian ka paralajmëruar sërish Italinë se do të përballet me pasoja nëse nuk jep kontributin e saj për emigracionin. Duke reaguar, zëvendës kryeministri Di Maio ka deklaruar se qëndrimi i Romës mund të ndryshojë vetëm nëse vendet anëtare tregojnë solidaritet me Italinë.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar të mërkurën Italinë se do të përballet me pasoja nëse nuk derdh kontributin e saj në buxhetin për emigrantët. Ka qenë komisioneri Gunther Otinger që ka deklaruar se Roma do të detyrohet ta paguajë kuotën me interesa nëse vazhdon me linjën e saj. Javën e kaluar zëvendës kryeministri Luixhi di Maio kërcënoi se vendi nuk do të paguajë më kontributet nëse vendet partnere nuk pranojnë të marrin emigrantët që ndodhen në një anije të ankoruar në Katania.

“Nuk na mbetet veçse të paralajmërojmë Romën që të mos ndërthurë politikën për emigracionin me buxhetin e BE-së”, ka deklaruar Otinger. Zyrtari gjerman ka nënvizuar se çdo veprim tjetër do të ishte shkelje e traktateve dhe do të vinte menjëherë në funksion mekanizmin e kuotave të interesit. Kontributi vjetor i Italisë në buxhetin e bllokut europian është rreth 14 miliardë euro.

I pyetur mbi deklaratat e komisionerit të mërkurën gjatë një vizite në Kairo, Di Maio ka thënë se pozicioni i tij nuk ka ndryshuar, por ka lënë të hapur mundësinë për negociata.

Nëse në ditët e ardhshme partnerët europianë shprehen të gatshëm për të rigjetur shpirtin e solidaritetit mbi të cilin BE u ngrit, atëherë mund ta bisedojmë”, tha Di Maio. Di Maio, lideri i partisë anti-sistem Lëvizja 5 Yjet, mori pushtetin në qershor duke formuar koalicion me ekstremistët e Ligës së Veriut, që çështjen e emigracionit e kishin kalin e betejës së fushatës elektorale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!