Seancë para takimit Thaçi-Vuçiç, deputetët kundër korrigjimit të kufijve

schedule13:33 - 29 Gusht, 2018

schedule 13:33 - 29 Gusht, 2018

Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të deputetëve të opozitës por edhe të Nismës për Kosovën, kanë kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme. Në të do të diskutohet për ndërprerjen e nismës së presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Partia Socialdemokrate kanë arritur të sigurojnë më shumë se 40 nënshkrime për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për të kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve. Për mbledhjen e këtyre nënshkrimeve u ka dalë në ndihmë edhe partneri i koalicionit Nisma për Kosovën. Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar se tashmë ata kanë mbledhur mjaftueshëm vota për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.

Ajo ka thënë se seanca do të thirret para takimit të presidentëve në Bruksel. Ndërsa SocialDemokratët, kanë saktësuar se seanca e jashtëzakonshme mund të thirret më 4 ose më 5 shtator. Kjo nismë vjen si pasojë e intesifikimit të zërave lidhur me propozimin e hedhur nga presidenti Hashim Thaçi, lidhur me zgjidhjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Ai kërkon që mes dy vendeve të ketë korrigjim të kufijve, më saktësisht kërkon që Lugina e Preshëvës, Bujanoci dhe Medvegja t’i kalojnë Kosovës. Ndërsa Serbia të marrë pjesën veriore të Mitrovicës.

Përveç opozitës, kundër propozimit të Thaçi ka dalë dhe Gjermania me në krye kancelaren Angela Merkel, e cila e konsideron shumë të rrezikshmë këtë veprim. Gjithashtu edhe vende të tjera si Britania, Kroacia e të tjerë kanë kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufijve. Kjo pritet të jetë temë kryesore në takimin e radhës mes presidentit Thaçi dhe Vuçiç, që do të zhvillohet në Bruksel me 7 shtator. /abcnews.al