Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka ndërmarrë lëvizjet e para për të qenë gati për zgjedhjet e ardhshme. Në përpjekje për të rifituar popullaritetin e zbehur, Tsipras ka bërë një sërë ndryshimesh në qeveri, por ka mbajtur figurat kyçe të saj si ministrin e Jashtëm Kocias dhe atë të Mbrojtjes, Kamenos.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka publikuar të martën ndryshimet e fundit në kabinetin e tij, në përpjekje për të rifituar popullaritetin e venitur të Syrizës në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Sidoqoftë, Tsipras ka mbajtur në detyrë figurat kyçe të ekzekutivit, mes të cilëve ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias, që ndërmjetësoi marrëveshjen e emrit me Maqedoninë; ministrin e Mbrojtjes Panos Kamenos, atë të Financave Euklid Tsakalotos dhe Janis Dragasakis të Ekonomisë dhe Zhvillimit. Ndërkohë, në dikasterin e rëndësishëm të Punëve të Brendshme është caktuar Aleksandros Haricis.
Pas dorëheqjes së Nikos Toskas për shkak të zjarreve që përfshinë në korrik lindjen e Athinës, ku humbën jetën mbi 90 persona, Tsipras ka emëruar ministren e besuar për Reformat, Olga Gjerovasili në Ministrinë për Mbrojtjen Civile; ndërsa ka caktuar sekretarin e përgjithshëm të qeverisë, Mikalis Kalogjiru në postin e ministrit të Drejtësisë. Do të jetë detyrë e Haricis dhe Kalogjiru ajo e ndryshimit të kursit të popullaritetit të Tsipras. Në tërësi janë 13 fytyrat e reja që i janë bashkuar ekzekutivit, pak ditë pas daljes së vendit nga skema e borxheve, ku ishte përfshirë për shkak të krizës financiare. Ajo që bie në sy është se Tsipras ka u ka dhënë poste edhe disa emrave nga partitë opozitare PASOK dhe Demokracia e Re.
Një ditë më parë, në komitetin e përgjithshëm të Syrizës, Tsipras tha se ndryshimet synojnë të sjellin një frymë të re në parti dhe qeveri në prag të 2019-s, që sipas tij do të jetë një vit zgjedhjesh dhe sfidash politike. Ai përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se “nëna e të gjitha betejave” do të mbahet siç është planifikuar, në vjeshtë të vitit të ardhshëm, pas zgjedhjeve europiane./abcnews.al