Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden me rastin e 13 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, i ka shkruar një letër ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit. Presidenti amerikan në letër thotë se Kosova ka vend special në familjen e tij, për shkak të punës që ka bërë djali i tij aty.
Biden i ka shkruar Osmanit për pritjet e SHBA-së që dialogu i Kosovës me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke. Të njëjtën ia kishte shkruar edhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në ditën e Shtetit.
Megjithatë, ndryshe prej letrës së Vuçiçit, adresimi që presidenti Biden ia bëri Kosovës është më personal. Ai ka përmendur se Kosova është e veçantë për familjen e tij për shkak se djali i tij i ndjerë, Beau Biden, kishte punuar aty.
Biden në këtë letër ka thënë se SHBA-të mezi presin të punojnë me qeverinë e re në rrugën drejt integrimit në Bashkim Evropian, derisa ka specifikuar se ka shumë punë për të bërë drejt arritjes së një marrëveshje për normalizim të raporteve me Serbinë që në qendër do të ketë njohjen reciproke./Gazeta Express