KAS i heq gjobat Erion Veliajt: Nuk bëri asnjë shkelje gjatë inagurimeve dhe ndarjes së çelësave

schedule15:37 - 16 Shkurt, 2021

schedule 15:37 - 16 Shkurt, 2021

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) i ka hequr dy gjobat e vendosur pak ditë më parë kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi erdhi pas apelimit nga përfaqësuesit e Veliajt, të cilët theksuan se kryebashkiaku nuk ka kryer asnjë shkelje gjatë takimeve të kryera në Tiranë.

Vendimi u mor me rezultatin 3 vota pro dhe 2 kundër të anëtarëve të KAS. Dy anëtarët që votuan kundër heqjes së gjobave janë Ledio Braho dhe Elvis Çefa.

Veliaj u gjobit me gjithsej 75 000 lekë me argumentin se kishte shkelur rregullat në zhvillimin e aktiviteteve elektorale pasi ankesës së LSI-së.

Përfaqësuesi i LSI-së tha javën e shkuar se Veliaj kishte shpërfillur parimin e armëve të barabarta që subjektet politike duhet të kenë 4 muaj para datës së zgjedhjeve. Kjo datë përkon me datën 25 dhjetor, ndërkohë që sipas përfaqësuesit të LSI-së Veliaj kishte kryer aktivitetet edhe gjatë janarit dhe shkurtit.

Lexo edhe: Dy shkelje gjatë aktiviteteve, pse u gjobit Erion Veliaj

Problematikat për të cilat LSI kishte paditur Veliajn për masë administrative në KQZ kanë të bëjnë me shpërndarjen e çelësave të shtëpive të rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit si edhe inspektimet e punimeve në zona të ndryshme të Tiranës.

Sa i përket dorëzimit të çelësave, denoncimi i LSI-së përmban 3 raste të tilla, të cilat janë: Vizita e Veliajt në shtëpinë e Hamit dhe Genc Allmuçës në Mumajes të Tiranës me datë 12 janar; vizita në shtëpinë e Mehdi Agës në Vaqarr më datë 27 janar dhe vizita në një shtëpi në Kryevidh të Kavajës më datë 30 janar.

Sa i përket inspektimeve, LSI e fokusoi kërkesën tek fakti se Veliaj nuk i ka raportuar ato sipas përcaktimeve të bëra nga KQZ për raportimin e aktiviteteve publike 5 ditë para zhvillimit.

Nga ana e tij, Eridian Salianji si përfaqësues i Bashkisë së Tiranës tha se inspektimi i investimeve nuk përbën shkelje pasi prokurimi i tyre është bërë para datës limit për kryerjen e tyre.

Veliaj ndërkohë theksoi se nuk do të ndalej në strehimin e banorëve, shtëpitë e të cilëve ishin dëmtuar nga tërmeti duke paralajmëruar se vendimi do të apelohej, siç ndodhi edhe u rrëzua sot. /abcnews.al