Milan po bën mirë këtë sezon dhe kuqezinjtë vazhdojnë të jenë brenda objektivave që kishin në fillim të sezonit. Edhe pse kohët e fundit flitet lart e poshtë se ata mund të jenë një nga ekipet pretendente për titull, Paolo Maldini duket se do t’i bëjë një dhuratë trajnerit Pioli për në sezonin e ardhshëm.
Me shumë mundësi “Djalli” do të rikthehet sezonin e ardhshëm në Champions League pas shumë vitesh mungesë dhe drejtori sportiv e ka piketuar që tani një përforcim për ekipin. Sipas raportimit të “Tuttosport”, bëhet fjalë për Andrea Belottin, i cili mesa duket nuk është i bindur më për të qëndruar në Torino dhe Maldini po e monitoron me kujdes situatën e bomberit.
CAPELLO PËR IBRËN – Siç dihet tashmë, Zlatan Ibrahimovic do të marrë pjesë këtë vit në festivalin e Sanremos, ku do të ketë një rol prezantuesi. Ky vendim i tij ka sjellë shumë pakënaqësi te tifozët për shkak se nuk do të jetë me ekipin, ku një prej tyre është edhe Fabio Capello.
“Ai donte të shkonte atje. Të jesh një profesionist që dëshiron të përcjellësh seriozitet dhe angazhim tek ekipi sikur nuk shkon. Kjo është një kontradiktë sipas mendimit tim”, deklaron ish-trajneri i Milanit në një prononcim për “Sky Sport Italia”. /abcnews.al