Ditën e djeshme futbolli ynë u njollos nga një sherr i paprecedentë në Ballsh, aty ku luante Bylisi dhe Laçi. Fillimisht protagonist ishte laçiani Nwabueze.
Sulmuesi goditi kundërshtarin e më pas futbollistët ballshiotë mësynë në grushte e shqelma drejt tij, duke krijuar një sherr masiv, nga i cili më shumë e pësoi zëvendës trajneri i Bylisit, Bekim Kuli. Ky i fundit u gjakos në fytyrë.
Sot rreth 24 orë pas atij sherri ka reaguar Sindikata e Futbollistëve, që dënon sherrin e djeshëm dhe i bën thirrje FSHF për bashkëpunim, me qëllim minimizimin e këtyre situatave.
REAGIMI – Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë dënon fuqimisht aktet e dhunës të ndodhura në ndeshjen Bylis-Laci prej kujtdo që vijnë ato.
Është e papranueshme që fusha e futbollit të kthehet në arenë dhune, e cila nuk kursen askënd.
Sindikata mbështet plotësisht organet e disiplinës së FSHF me masat disiplinore, që do të marrë ndaj të gjithë personave, që ishin protagonistë të atyre skenave të shëmtuara të dhunës.
Duke marrë shkas edhe nga ky rast, Sindikata përsëri i bën thirrje FSHF, që menjëherë të nisim marrdhënien e bashkëpunimit ndërmjet nesh.
Vetëm një bashkëpunim i sinqertë mes të gjithë aktorëve të futbollit FSHF, Liga, Sindikata, shoqata tifozësh, medias, etj do të bëjnë të mundur minimizimin e akteve të tilla të dhunës prej kujtdo qoftë: futbollistëve, zyrtarë klubesh, tifozë, etj. /abcnews.al