Gazetari Artan Hoxha i ftuar mbrëmjen e sotme në studion e Radarit Informativ në ABC zbardhi detaje të reja në lidhje me arrestimin e 10 personave gjatë ditës së sotme pasi dyshohet se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale. Mes të arrestuarve janë gjyqtarja Enkeleda Hoxha, avokati Aldo Tabaku si edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.
Gazetari Hoxha tha se gjyqtarja është e fundit që hedh firmën, por është një zinxhir i tërë i korruptuar që ka përgatitur dosjen për të dënuarin që do të përfitonte. Avokati Aldo Tabaku, tha më tej gazetari ishte krahu i djathtë i gjyqtares, me të cilin dyshohet se ka një marrëdhënie tjetër miqësore.
“Asnjë nga vendimet që ka dhënë kjo gjyqtare, Endrit Dokle, Genc Tafili, Hekuran Billa, etj, në të gjitha këto raste, asnjë nga vendimet nuk është goditur nga instancat e tjera të sistemit, të gjithë bënë zhurmë, i hodhën fajin asaj gjyqtares, por askush nuk reagoi për ta neutralizuar.
Lexo edhe: Arrestimi i gjyqtares, Hoxha: Mesazh i qartë, u prangos nga ish-skuadra e OFL
Kjo është një gjyqtare me karrierë, mbi 20 vite në sistem. Kjo është e fundit që hedh firmën. I gjithë dokumentacioni kur shkon te gjyqtarja është bërë gati, ajo është pika fundore. Është juristi i burgut, drejtuesit e burgut, ulja e dënimit për sjelle të mirë. Sistemi është korruptuar që nga poshtë, gjyqtarja është pika fundore.
Problemi është që gjyqtarja është thjesht pika fundore, përpara saj është një sistem i saj. Unë nuk e di se me cfarë kurajo ka vazhduar edhe pse është ekspozuar, ose mbahet peng, ose dikush i ka një material shtrëngues. Me avokatin dyshohet se ka një marrëdhënie tjetër miqësore. Ky është krahu i djathtë i saj, është më shumë se sekser, ky nuk bën thjeshtë kontakte, ky është njeri që shkohet bëhet gati, si dilet.
Besoj se kjo histori nuk mbaron me kaq, ka përgjime në zyrën e avokatit, në banesë, duket se skuadra e SPAK-ut ka punuar. Për mua kjo nuk është ngjarja e fundit, që e mbyll këtë gjë, kjo është hapja e petës së parë të lakrorit për të kuptuar si të dënuarit e botës së krimit kanë dalë nga burgu”.
Këtë rast, Hoxha e krahasoi me skandalin e “Tires” te spitali covid-2. “Kjo është si puna e sanitares,Tires, nuk korruptohet sistemi nga poshtë, por nga lart e korrupton”. Në fund, Hoxha tha se të dënuarit në cdo burg kanë gjyqtarin e tyre. “Të dënuarit nga burgu i Peqinit ose Bradasheshit, kush i ka liruar në Elbasan, pse gjithmonë qëllon i njëjti gjyqtar, po ashtu në burgun e Drenovës në Korçë, po ashtu në Fier, dhe në Fushë Krujë dhe në Shkodër për burgun e Reçit” tha Hoxha./ db/ Abcnews.al