Në një lidhje me Skype nga Selaniku, biogenetisti Luan Zyka foli në Abc-ja e mëngjesit për situatën e koronavirusit në Greqi.
Pas dyfishimit të rasteve me Covid, qeveria vendosi masat të reja dhe që sot fillon një regjim total lockdown për Atikën.
Mjeku theksoi se nga sot, do të ketë aktivitet tregtar vetëm për mbijetesë, nuk lejohet njerëz brenda lokaleve.
“Tani Greqia deklaroi që ka 284 pacientë në spitale. Në Greqi problemi qëndron tek burimi njerëzor. Sot për sot janë menjëanë sëmundjet e tjera, për shkak se Covid ka marrë vëmendjen më të madhe. Gjendja është tragjike tek të gjitha spitalet. Ndërkohë është përdorur vaksina Pfizer, ndërsa këto ditë ka ardhur vaksina AstraZeneca. Në Greqi këto ditë do të zbatohet vaksina për të moshuarit”, tha ai.
Gjatë intervistës ai theksoi se tashmë e vetmja alternativë mbetet vaksina, lufta kundër koronavirusit.
Më tej ai shtoi se Evropa ka mendime të ndryshme sa i përket vaksinës. “Greqia fatmirësisht ka një konsensus politik të lartë dhe një disiplinë të lartë, por kjo jo në nivelin që ka pasur gjatë muajit mars”, tha Zyka.
Më tej ai sqaroi se Greqia ndodhet para një katastrofe turistike dhe gjendja është shqetësuese.
“Qeveria mendon paketa financiare mbështetëse por kjo nuk është e mjaftueshme. Besoj që këtë vit nuk e kapim dot sezonin turistik pasi të ardhurat janë të pakta, tha Zyka.
/abcnews.al/