Zgjedhje apo referendum në Kosovë? LDK: Dëmi më i madh nëse Osmani do të dilte e pavarur

schedule22:27 - 10 Shkurt, 2021

schedule 22:27 - 10 Shkurt, 2021

Në datë 14 shkurt Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të votuar për Kuvendin dhe qeverinë e re. ABC po ndjek nga afër fushatën, ndërsa do të pasqyrojë edhe votimin ditën e diel. Gazetarja e emisionit Ballkan, Linda Karadaku sjell zërin e disa prej kandidatëve, programeve, ambicieve dhe mendimin e qytetarëve.

“Mendoj që ka ardhur koha që t’i bashkohem popullit dhe të bëjmë të gjithë bashkë një shtet stabil dhe një qeveri që nuk do të rrëzohet brenda natës. Prioritet i imi do të jetë cështja e Luginës së Preshevës” tha Rreze Duli, kandidate e Vetëvendosjes. “Do të investojmë, pakoja jonë është gjithëpërfshirëse dhe me zbatimin e saj do të fillojë rimëkëmbja ekonomike në Kosovë” tha Ilir Aliu, Vetëvendosje.

Adnan Merovci nga LDK thotë se nëse Vjosa Osmani do të kishte dalë e pavarur dëmi për ish-partinë do të ishte më i madh se tani që është pjesë e Vetëvendosjes.

“Unë mendoj që duhet që në legjislacion të futet emri i Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. LDK nuk është e vërtetë që e ka gjendjen sikur e shikojnë sondazhet, kishte një krizë në fillim por në javët e fundit ka një trend rritës kanë ndikuar disa faktorë të tjerë. Largimi i Vjosës nga LDK ka shkaktuar, një dëm të vogël por dëmi do të kishte qenë më i madh nëse do të kishte mbetur e pavarur. Ajo ka vepruar politikisht për të hyrë te Vetëvendosja dhe këtë dëm e ka zbutur.

LDK shquhet me merita publike të mëdha, por dobësi për shitjen e tyre. Kemi tre momente, misioni ushtarak i Kosovës jashtë dhe kjo po bëhet në kohën e LDK-së, cështja e ministrisë së Shëndetësisë që ka marrë lëvdata nga ndërkombëtarët dhe e ka menaxhuar për mrekulli dhe ka siguruar vaksinën. Nuk mund të mos i atribuohet LDK-së cështja e njohjes nga Izraeli. LDK synon fitoren në këto zgjedhje” tha Adnan Merovci, LDK.

Ferat Shala shprehet se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti për të bashkëpunuar. “Ne po hyjmë në garë për lidershipin dhe presidentin, por kjo e ka mobilizuar lidershipin e PD-së dhe strukturat për shkak të mungesës së Veselit dhe Thacit. Për të marrë atë që është e jona, atë që meriton Kosova, lirinë. Fuqishëm jemi në terren dhe ne presim të rikthejmë votat tona maksimale që kemi pasur në të kaluarën. Ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi për asnjë subjekt kosovar, jemi gati të bashkëpunojmë kur është interesi i shtetit të Kosovës. Përfshirë Vetëvendosje? Asnjë subjekt tjetër nuk kemi vija të kuqe, por në rrethana të kuqe do të bisedojmë për platformën dhe konceptin.

Ne kemi asnjë arsye dhe paragjykim për asnjë subjekt, i kemi dhënë dorën AAK-së, Kadri Veseli ia ofroi Ramush Haradinajt pozicionin e parë të shtetit që ta drejtojë. Subjekte të tjera u gëzuan para kohe kur shkuan liderët tanë në Hagë, PDK ka aq fuqi të madhe saqë i ka shëruar këto plagë shpejt dhe vendosja e kandidaturës së Enver Hoxhajt sikur i ka shqetësuar pak se nuk i kanë mundësitë që të ballafaqohen me të. PDK do të mbetet shtyllë kurrizore e shtetit të Kosovës, do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme” tha Ferat Shala, PDK.

Ndërsa Pal Lekaj është i bindur se AAK do të jetë sërish “Kingmaker” për të çuar më pas Ramush Haradinajn në Presidencë. “Nuk mendoj se kemi ne probleme me PDK-në, ajo po, ne jemi kundërshtarë politikë, por shqiptarë, por nuk guxojmë të atakojmë liderin e AAK. Meqë Thaci dhe Kadria nuk janë këtu, nuk do të merremi me këto kullerat e PDK-së. Ne jemi aty për zgjidhjen e situatës, ne jemi “Kingmaker”. Nuk kemi vija të kuqe për të formuar qeverinë. Nëse fiton Vetëvendosje dhe nëse mund ti bëjmë numrat, të kemi 2/3 pse jo? Haradinaj president? Pse jo” tha Pal Lekaj, AAK. / db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!