Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e votimeve të 7 qershorit në Kosovë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi njoftoi zyrtarisht se VV ka siguruar 53 vende në kuvend, PDK 22 deputet, LDK 18, Lista serbe 9 Aleanca 7 deputetë dhe pjesa tjetër për pakicat joserbe.
Me certifikimin e rezultateve përfundimtare, rruga për formimin e institucioneve është hapur.
Ushtruesja e detyrës së presidentes tani ka 30 ditë kohë në dispozicion për të organizuar mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, afat i cili përfundon më 7 gusht.
Meqë partia në pushtet duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk pritet që për këtë dy hapa të ketë pengesa, por ngërçi vijon të mbetet tek zgjedhja e kreut të ri të shtetit.
Për disa nga njohësit e kushtetutës, ky do të duhet të jetë në fakt hapi i parë por kryeministri në detyrë Kurti deri më tani është shprehur publikisht se fillimisht do të formoj ekzekutivin e ri.
Për të siguruar kuorum për seancat e presidentit nuk ka ende asnjë marrëveshje politike me subjektet e tjera.
Kushtetuta parashikon që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të katërtat brenda 24 muajsh pas atyre të 9 shkurti dhe 28 dhjetorit të 2025 dhe 7 qershorit të këtij viti.



