Mediu dy orë në zyrën e Bashës: Ende nuk ka marrëveshje, jam i gatshëm të kandidoj kudo

schedule19:05 - 10 Shkurt, 2021

schedule 19:05 - 10 Shkurt, 2021

Mes Partisë Demokratike dhe asaj Republikane nuk ka ende marrëveshje për të dalë si koalicion i përbashkët në zgjedhjet e 25 Prillit. Teksa doli nga zyra e kryedemokratit ku qëndroi për të paktën dy orë, Mediu tha se ideja është që në marrëveshje duhet të përfshihen njerëz dhe parti politike që do të maksimalizojnë votën dhe pastaj se ndarja e zonave është pjesë e një diskutimi që do të vazhdojë më tej.

“Kemi mirëkuptimin që duhet të dalim si opozitë e bashkuar edhe në program dhe në mënyrën si do të qeverisim vendin. Ideja është që në marrëveshje duhet të përfshijnë njerëz dhe parti politike që të maksimilizojmë votën për të përmbysur këtë regjim të korruptuar. Pastaj se ku janë zonat dhe si do të funksionojë janë pjesë e një diskutimi që do të vazhdojë.

Kreu i PR tha se është i gatshëm të kandidojë kudo, por kjo nuk është përcaktuar ende. Ai theksoi se PR nuk kërkon mandate por konkurrim”, u shpreh Mediu.

“Unë jam i gatshëm të kandidoj kudo, por ende nuk  kemi përcaktuar vendim e Fatmir Mediut dhe të askujt tjetër, por në raport me peshën elektorale do të përcaktohen edhe figurat në emër të PR, të koalicionit apo PD. Pastaj do vlerësojmë edhe kandidaturat.

Nuk ka mandate ka vetëm kontribute dhe konkurrim, nuk ka vende të sigurta por duhet të jenë pjesë e vlerësimit të kontributeve zgjedhore, PR ka peshën e saj në çdo qark nga Kukësi e Dibra e kështu me radhë. Çështja është se si votat tona të jenë vota pozitive në mandate të opozitës qofshin të PD apo PR“, tha Mediu./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!