Dy standardet në polici, si e kaloi vettingun ish-sigurimsi Artan Shkëmbi, 5% me “njollë të zezë”

schedule20:44 - 9 Shkurt, 2021

schedule 20:44 - 9 Shkurt, 2021

Emisioni “Vetting” në ABC ka trajtuar këtë të martë reformimin në Policinë e Shtetit.

“Ka ardhur koha për të bërë “Vetting” dhe për figurën morale të policëve”, kështu deklaronte Fatmir Xhafaj, kur ishte ministër i brendshëm. Kështu nisi procesi i pastrimit të policisë nga elementet me problem me ligjin.

E inicioi Fatmir Xhafaj dhe nisi ta zbatojë pasardhësi i tij në detyrë Sandër Lleshaj. Por rezultatet e deritanishme nuk janë aq optimiste sepse në procesin e vettingut janë zbatuar dy standarde.

Artan Shkëmbi, ish-numri dy i Operacionit Forca e Ligjit, u konfirmua në detyrë edhe pse komisioni gjeti probleme përsa i takon pastërtisë së figurës, pasi ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit dhe së dyti, nuk mundi të justifikojë pasurisë me vlerë 40 mijë Euro.

“Kemi një njeri që ishte kreu i OFL të cilit, iu quajtën këto para nga emigracioni. Madje këto para ishin futur në investim miliona eurosh. Ky njeri për të cilin kemi përdorimin e dy standardeve. Ky njeri na shiska informacione të krimi i organizuar. Dhe nuk është i vetmi ky rast”, shprehet gazetari Ferdinand Dervishi.

Policia e Shtetit është një ndër institucionet, ku gjendet numri më i madh i ish-punonjësve të sigurimit të shtetit.

Gentiana Sula thotë që në institucionet e tjera ku po kryhet vetting në prokurori dhe gjykatë rezulton se 1% e tyre janë të lidhur me ish-sigurimin e shtetit, ndërsa në polici shifra e kalon 5%.

“Deri tani Komisioni i Jashtëm i Rivlerësimit ka kërkuar info për 90 zyrtarë të policisë, prej të cilëve pesë kanë rezultuar me aktivitet në kohën e sigurimit”, thotë Gentiana Sula drejtore e AIDSSH.  Por Komisioni i Vettingut në policinë e shtetit nuk ka respektuar të dhënat zyrtare që vijnë nga Autoritetit i Dosjeve.

Partia demokratike ka denoncuar publikisht emra konkret. Sipas PD-së, drejtori i departamentit të Sigurisë Publike në Policinë E Shtetit, Gjovalin Loka, ka qenë pjesë e strukturave të sigurimit të shtetit. Partia Demokratike, publikoi pak kohë më parë një listë të gjatë me emrat e funksionarëve të lartë të policisë, për të cilët pretendon se kanë qenë pjesë e Sigurimit të shtetit.

“Sigurimsat që i shërbejnë pushtetit të Edi Ramës emërohen në kupolën e Policisë së Shtetit”, shprehej asokohe ish-deputeti Klevis Balliu.