Zbardhen pamjet dhe detaje të reja nga vrasja e prostitutës shqiptare Luljeta Heshta mesditën e së dielës në Milano. I arrestuar për vrasjen është partneri i saj, Alfred Kipe 42 vjeç, i cili kishte një lidhje të gjatë me 47-vjeçaren prej disa vitesh.
Prokurori italian ka rindërtuar skenën e krimit, si arriti autori në vendin e krimit. “Shqiptari ishte i papunë dhe pa makinë. Në vendin e krimit ai arriti me transport publik dhe pasi gjeti gruan në rrugë debatuan dhe më pas e qëlloi me thikë 5 herë për vdekje. Thika akoma nuk është gjetur. Dy dëshmitarë panë skenën e krimit. Një krim i kryer me brutalitet” tha prokurori Domenico Chiaro.
Më tej prokurori tha se një shofer e filmoi skenën e krimit me celular dhe videon e disponon grupi hetimor. Në një videon e publikuar nga karabinierët, vrasësi shihet duke u larguar nga vendi i krimit i qetë dhe veshur me të zeza.
Por 42-vjeçari e ka mohuar krimin, ai vazhdon të thotë se është i pafajshëm, duke u shprehur se e kaloi ditën “në një lokal në Milano” të dielën. Sidoqoftë, ai pranoi se për disa kohë kishte debatuar me viktimën për arsye xhelozie, pasi dyshonte se ajo kishte një të dashur. Për Prokurorin motivi mund të jetë xhelozia ose ekonomike./ db/Abcnews.al